Arbëri

Osmani merr Çmimin M100 për vlera euroatlantike: Kosova është përkushtuar për demokraci

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar Çmimin M100 për përkushtimin ndaj vlera euroatlantike në Gjermani, ku u shpreh se populli i Kosovës është kampion i demokracisë “pasi e dimë se çka do të thotë të jetosh pa të”.

Ajo ka deklaruar para të pranishmëve se Kosova është e përkushtuar dhe e vendosur për të siguruar demokracinë, mbijetesën e suksesin e saj, derisa mori shembullin e luftës së Kosovës si angazhim për demokraci.

 “Brezi aktual i fëmijëve në Kosovë, fëmijët tanë, janë gjenerata e parë në historinë e kombit tonë që u rrit pa luftë. Dhe ne duhet të sigurojmë bashkërisht që ata të mos e njohin kurrë të kundërtën e paqes dhe të kundërtën e demokracisë. Duhet të sigurohemi që fëmijët të mos e kalojnë atë që e kaluam ne”, është shprehur presidentja Osmani.

Osmani ka thënë se vendet demokratike duhet të angazhohen që fëmijët e Kosovës të jetojnë me paqe dhe “të përpiqen drejt një bote më të mirë për të gjithë”.

“Në këtë përpjekje, vlera e aleatëve dhe partnerëve tanë më të afërt është e domosdoshme. Kosova e ka mësuar nga dora e parë fuqinë transformuese dhe ekzistenciale të aleancave të forta. Ne jemi ata që jemi sot sepse, në vitin 1999, Gjermania, së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s, u mblodhën në mbështetje të luftës sonë çlirimtare për t'i dhënë fund regjimit gjenocidal të Milosheviçit. Më 24 mars 1999, avionët e Bundesëehr-it iu bashkuan fushatës ajrore të NATO-s për të ndalur vuajtjet dhe shkatërrimet që po bëheshin atëherë në Kosovë”, ka shtuar ajo.

Osmani tutje u shpreh se sot ushtarët gjermanë që shërbejnë në Kosovë, me krenari e mbajnë trashëgimin e reagimit të bashkuar për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

“Për këtë, ne i falënderojmë mbi 50.000 ushtarë gjermanë që kanë shërbyer...Kur flas për ambiciet e Kosovës për t'iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s, shoh një mundësi për të ndërtuar një Kosovë më të fortë, më elastike, më të sigurt dhe parandaluese si një anëtare e barabartë e familjes euroatlantike”, ka thënë presidentja e Kosovës.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë gjatë luftës në Kosovë, Rudolph Scharping, është shprehur se rruga e presidentes Osmani është e gjatë dhe është i bindur “se ndikimi i saj do të zgjasë përtej kufijve e brezave”.

“Kur sot nderojmë Presidenten Osmani, nderojmë edhe popullin e Kosovës. Rruga e tyre drejt demokracisë dhe vetëvendosjes nuk ka qenë e lehtë, por ajo është udhëhequr nga personalitete si Presidentja Osmani, që e dinë se fuqia e një populli qëndron në vlerat që ai mbron. Udhëheqja e saj është një burim shprese dhe frymëzimi, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne që besojmë në fuqinë e demokracisë për të ndryshuar jetë, për të nxitur unitetin dhe për të transformuar shoqëritë”, ka shtuar ai.

Osmani është liderja e parë nga Ballkani që i ndahet ky çmim për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike. Ky çmimi u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane.