Arbëri

Osmani, Kurti e Konjufca urojnë Pashkët ortodokse

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Krerët shtetërorë kanë uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një komunikate për media ka thënë se Pashkët ortodokse janë pjesë e traditës së Kosovës për kremtimin e festave në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë.

“Sot besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët. Kjo festë le të sjellë gëzim te besimtarët ortodoksë dhe shpresë për paqe e harmoni mes njerëzve në mbarë botën. Pashkët ortodokse janë pjesë e traditës së Kosovës për kremtimin e festave në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. Shpresa, besimi dhe optimizmi për paqe, harmoni dhe shëndet e përcjellshin këtë festë në secilën familje të besimtarëve ortodoksë”, ka thënë Osmani.

Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në një ditë si kjo  festohet edhe bashkëjetesa kulturore dhe fetare e shoqërisë në Kosovë.

“Besimtarëve ortodoks dhe bashkëqytetarëve tanë, ju uroj Pashkën për shumë mot. Le të na përcjellë kjo festë me urime për fillim të ri, shpresë të ringjallur, e besim të forcuar. Fryma e Pashkës ju dhuroftë mirëqenie, shëndet, lumturi dhe begati, që t’i gëzoni dhe ndani me familjet, miqtë dhe fqinjët tuaj. Në ditë si kjo, festojmë edhe bashkëjetesën kulturore e fetare të shoqërisë sonë. Aty ku të gjithë qytetarët e të gjitha besimeve, pa dallim, mund të jetojnë së bashku në paqe dhe prosperitet”, ka shkruar ai.

Pashkët ortodokse i ka uruar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Kjo festë që vjen në frymën e ripërtëritjes dhe rikthimit të shpresës, që kërkon reflektimin për rëndësinë dhe domethënien e sakrificës, që kërkon të forcojë vlerësimin, respektin dhe përkujdesin ndaj njëri-tjetrit, le ta gjejë gjithkënd përreth vlerave të solidaritetit dhe mirësisë. Ajo na tregon për efektin e madh ndriçues mbi errësirën, tregon se e mira triumfon edhe kur mund të duket e pafuqishme, se drejtësia nuk është vetëm çështje force, por më së pari, çështje besimi dhe insistimi tek ajo. Këto mësime të vyera i shërbejnë përnaltësimit të jetës shpirtërore, teksa pasqyrohen në jetën shoqërore. Mbarësi, gëzim, shëndet e harmoni në familjet tuaja, sot e gjithmonë”, ka shkruar ai.