Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Kosova do ta mbrojë lirinë dhe pavarësinë e saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e mbajtur nga Këshilli Atlantik, ku Dua Lipa ka pranuar çmim, ka thënë se Kosova do të vazhdojë të mbrojë lirinë dhe të drejtat e saj.

Dua Lipa mori çmim për lidership të dalluar, ndërsa pas fjalimit të saj ajo e ftoi në skenë Osmanin për të marrë çmimin në emër të popullit të Kosovës.

Osmani e ka falënderuar Lipan dhe ka thënë se këngëtarja ndihmon për t’u dëgjuar zëri i popullit të Kosovës.

“Sot përballemi me një sërë sfidash të ndryshme dhe shpresojmë të vazhdojmë të mbështetemi tek ju, të gjithë ju, pasi hapim kapitull të ri në përpjekjet tona për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës”, ka thënë Osmani. “Jam e bindur se Kosova do ta forcojë shtetësinë e saj dhe do të japë një kontribut të madh për bashkësinë ndërkombëtare dhe paqen e stabilitetin në rajon”.

Osmani ka thënë se Kosova nuk do të heqë në asnjë moment dorë nga e drejta për të ekzistuar si shtet i pavarur e sovran.