Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.
Kolë Berisha vdiq sot në moshën 73-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit të tij”, thuhet në telegramin e presidentes Osmani. “Mësues i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”
Konjufca: Kontributi i bacës Kolë do të mbetet përherë në kujtimet tona
Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, në telegramin e ngushëllimit me rastin e vdekjes së ish-kryeparlamentarit Kolë Berisha, ka thënë se kontributi i Berishës për pavarësinë e Kosovës, si dhe angazhimi i tij për themelimin e fuqizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, do të mbetet përherë në kujtimet tona.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar dhe kryekuvendarit Kolë Berisha. Kontributi i çmuar i bacës Kolë për lirinë e pavarësinë e Kosovës si aktivist i hershëm i LDK-së, për krijimtarinë e gjithmbarshme si shkrimtar e intelektual, e mbi të gjitha angazhimi i tij për themelimin dhe fuqizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës si deputet e kryekuvendar, do të mbetet përherë në kujtimet tona. Bashkëndjejmë me familjen, të afërmit dhe miqtë. U prehtë në paqe!” – ka shkruar Konjufca.
Meta: Kolë Berisha ishte aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kolë Berisha.
Berisha ka vdekur sot në moshën 73-vjeçare, pas një sëmundje të gjatë.
“Me hidhërim mora lajmin për largimin nga jeta të z.Kolë Berisha, politikanit të urtë dhe vizionar të Kosovës, deputet në disa legjislatura dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova. Është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët, të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të thella! Aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare, angazhimin jetësor të Kolë Berishës nuk e ndalën as persekutimet dhe burgosjet, për të spikatur si ish-Kryetar Kuvendi dhe ish-deputet, me kontributin e tij përherë të respektuar për konsolidimin e institucioneve të shtetit të Kosovës. Urtësia, veprimet e matura dhe të mençura politike të Bacës Kolë do të kujtohen gjithmonë me nderim! Të prehet në paqe!” – ka shkruar Meta në Facebook.
LDK-ja dërgon telegram ngushëllimi pas vdekjes së Kolë Berishës
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dërguar telegram ngushëllimit familjes së ish-anëtarit të saj dhe ish-kryeparlamentarit, Kolë Berisha, i cili vdiq sot në moshën 73-vjeçare.
Në letrën e dërguar nga kryetari Lumir Abdixhiku thuhet se mëngjesi i sotëm ishte i dhimbshëm për të gjithë Kosovë.
“E nderuara familje Berisha, mëngjesi i sotshëm nuk ishte i dhimbshëm vetëm për ju, por edhe për Lidhjen Demokratike si dhe krejt Kosovën. Ju humbët babain e familjarin tuaj, ne humbëm mikun, bashkëpunëtorin, ish-nënkryetarin e LDK-së, ndërsa Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendit tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci. Vdekja e Kolë Berishës është lajm pikëllimi e dhimbjeje për Kosovën, për kolegët dhe gjithë miqtë. Ai ishte një veprimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të shtetit tonë, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Përpjekjet e tij për ndërtimin e institucioneve të Kosovës do të mbeten të paharruara në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndërsa puna dhe veprimtaria e tij do të jenë udhërrëfyes që do të vlerësohet brez pas brezi. Kosova do ta kujtojë me pietet dhe nderim veprën e madhe të ish-kryetarit të Kuvendit, deputetit e nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pranoni ngushëllimet tona të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të LDK-së.
Haradinaj: Kolë Berisha dha kontribut të çmuar për arsimin ndër vite
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po ashtu ka ngushëlluar për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.
“I pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës z. Kolë Berisha. Ai dha kontribut të çmuar për arsimin ndër vite. Në kohën kur organizimi jonë për çlirim merrte formë, ai angazhohet në pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive dhe në themelimin e institucioneve paralele në Kosovën e okupuar. Pas luftës, ai vazhdoi kontributin e tij në shtetndërtim, ku mes tjerash kryesoi Kuvendin e Kosovës. Ngushëlloj me këtë rast familjen Berisha, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Krasniqi ngushëllon familjen e Berishës
Edhe lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka shprehur ngushëllime familjarëve të ish-kryeparlamentarit, Kolë Berisha.
Krasniqi ka shkruar në Facebook se Berisha ia dedikoi pjesën më të gjatë të jetës së tij demokratizimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
‘’Në këtë ditë të ndarjes së tij nga jeta, shpreh mirënjohje e respekt për punën shumëvjeçare të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i cili pjesën më të gjatë të jetës së tij ia dedikoi demokratizimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëveprimtarëve të tij’’, shkroi ai.