Presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar që Kosova të zë vend në tryezën e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP28), gjatë fjalimit të saj të mbajtur të enjten në Takimin Global të Fuqizimit (Harvard GEM) “Rritje në një Botë të Gjelbër”.
Osmani ka thënë që për shkak të pamundësisë për të qenë palë e Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike dhe palë nënshkruese e Marrëveshjes së Parisit, Kosova është lënë jashtë instrumenteve të financimit që do të mund ta ndihmonin në përballimin e sfidave të ndryshimeve klimatike.
“Teksa ky realitet i padrejtë e la vendin tonë jashtë diskutimeve të nivelit të lartë në COP-et vjetore, ai kurrë nuk e ka zbehur angazhimin dhe përkushtimin për të bërë pjesën tonë të punës. Por duke na lënë jashtë dhomës do të thotë gjithashtu të na lërë jashtë të gjitha instrumentet e financimit që mund të kishin ndihmuar vendin tim të përballonte sfidat e ndryshimeve klimatike. Pavarësisht këtij kufizimi, ne kemi gjetur gjithmonë një mënyrë për t'u dëgjuar. Megjithatë, kjo nuk mjafton. Përfshirja, barazia dhe pjesëmarrja janë parakushte absolute për një betejë të suksesshme kundër ndryshimeve klimatike. Nuk është se ndryshimi i klimës do të vijë deri në kufirin tonë, dhe thjesht do të na kapërcejë. Ndryshimet klimatike nuk njohin as politikë, pikërisht për këtë arsye Kosova ka nevojë për një vend në atë tryezë. Prandaj është koha e duhur që Kosova të jetë krah për krah me vendet e tjera në COP28”, është shprehur ajo.
Osmani ka shtuar se në përputhje me kërkesat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Kosova tani po punon drejt finalizimit të Planit të saj Kombëtar të Energjisë dhe Klimës 2025-2030.
“Derisa jemi duke kërkuar për modalitetet për t'iu bashkuar Marrëveshjes së Parisit edhe pse nuk jemi anëtare e OKB-së, ne jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e krijimit të parakushteve adekuate. Prandaj, tani jemi në proces të finalizimit të Ligjit të parë për Ndryshimet Klimatike në vendin tonë. Vitin e kaluar, në bisedimet me një mik të dashur të Kosovës, ish-sekretarin John Kerry, aktualisht i dërguari i posaçëm presidencial i SHBA-së për Ndryshimet Klimatike, diskutuam përfitimet e anëtarësimit të Kosovës në Betimin Global të Metanit. Jam e lumtur të raportoj si rezultat i përkushtimit të institucioneve tona dhe partneritetit tonë shembullor me SHBA-në, Kosova i është bashkuar zyrtarisht grupit të vendeve që angazhohen për të frenuar emetimet e metanit – tani e konsideruar gjerësisht si mënyra e vetme më e shpejtë dhe më efektive për të kufizuar ngrohjen”, ka thënë ajo.
Presidentja e Kosovës më tej ka njoftuar të pranishmit se së shpejti Kosova do të jetë nikoqire e projektit të madh të kapacitetit të ruajtjes së baterive të mbështetur nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, si dhe projekti i parë në Ballkan për ngrohje qendrore me panele diellore.
“Por ka potencial për shumë më tepër dhe sigurisht ka shumë hapësirë për projekte dhe zgjidhje inovative. Dhe kjo konferencë është mundësia e përsosur për të diskutuar disa nga format që kjo mund të bëhet përmes partneriteteve që do të mundësonin përfundimisht transferimin e teknologjisë dhe njohurive. Ndërkohë që ekziston vullneti për t'u angazhuar në një tranzicion të gjelbër për të fuqizuar më tej idenë e një Kosove më të gjelbër, ne të gjithë e dimë se duhet shumë më tepër se kaq për të fituar rastin realisht”, ka thënë ajo.