Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani kërkon nga Suedia ta mbështesë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom, që ky shtet ta mbështesë aplikimin e Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në një takim të enjten në Presidencë, Osmani ka falënderuar Suedinë për mbështetjen për Kosovën që nga vitet e ’90-ta.

Osmani, sipas komunikatës, ka thënë po ashtu se me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës ka marrë fund padrejtësia ndaj tyre. Megjithatë, sipas saj, synimi i Kosovës është që të bëhet edhe anëtare e familjes së madhe evropiane.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetje nga ministri Billström që Suedia si kryesuese e Këshillit të BE-së, ta mbështes aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është orientim strategjik. Mbështetja e Suedisë në këtë drejtim, sipas Presidentes Osmani është thelbësore për të ecur përpara me procesin e anëtarësimit në BE, duke ia dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në raport me dialogun me Serbinë, Osmani ka deklaruar se Marrëveshja e Ohrit i trajton dy shtetet si palë të barabarta. Megjithatë, ajo është ankuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes. Sipas Osmanit, Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë rreth zbatimit të Marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.