Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani i çmon si të shkëlqyera marrëdhëniet me Katarin

Në kuadër të samitit të krerëve të shteteve të Frankofonisë, që po mbahet në Djerba të Tunizisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua me zëvendëskryeministrin, si dhe ministrin e Shtetit të Katarit, Hamad Bin Abdulaziz Al Kawari, me të cilin diskutoi mbi thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Katarit.

Siç thuhet në njoftimin e Presidencës të premten, Osmani i çmoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Katarit për Kosovën, si para ashtu edhe pas pavarësisë së vendit tonë.

“Populli i Kosovës i është mirënjohës Katarit për bashkëpunimin dhe pret që të dyja vendet ta thellojnë më tej atë, duke hapur kaptina të reja bashkëpunimi në energji, arsim, shëndetësi, turizëm, bujqësi dhe fusha të tjera”, ka thënë Osmani.

Presidentja përmendi edhe një varg projektesh, të cilat mund të zhvillohen si rrjedhojë e bashkëpunimit, sidomos në fushën e teknologjive moderne dhe inovacionit, që siç thuhet në njoftim, duke ditur që Kosova ka popullsi me moshë shumë të re, të zonjën për të zhvilluar projekte në këtë fushë.

Zëvendëskryeministri i Katarit, Al Kawari, e çmoi bashkëpunimin e deritashëm mes Kosovës dhe Katarit dhe theksoi se Katari do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës.

Edhe Osmani e Kurti presin në takim ministren e Katarit për Zhvillim Social Arbëri Osmani e Kurti presin në takim ministren e Katarit për Zhvillim Social

Ai theksoi se Kosova dhe Katari janë të dyja shtete të vogla, me histori deri diku të ndryshme, por me shumë pika të përbashkëta, prandaj, sipas njoftimit, ato mund të mësojnë shumë nga njëra-tjetra, por edhe të shpijnë përpara ide të përbashkëta, të cilat janë të favorshme për të dyja vendet.

Osmani po përfaqëson Kosovën në samitin e krerëve të shteteve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Kosova është anëtare e asociuar e Organizatës së Frankofonisë nga viti 2018.