Arbëri

Osmani: Gjatë auditimit janë hasur 55 raste që dyshohet se kanë natyrë penale

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin vjetor të performances së Zyrës Kombëtare dhe Raportit të auditimit.

Auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani ka thënë se pavarësisht se viti 2020 ka qenë sfidues për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19, duke shtuar se ZKA-ja ka arritur t’i përmbushë të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese, duke forcuar mbulueshmërinë dhe cilësinë e auditimit.

Sipas tij, gjatë vitit 2020 kanë kryer numrin më të lartë të auditimeve të rregullsisë që nga themelimi.

“Janë audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë euro, 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 8 auditime të performancës me fokus tema komplekse, si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se gjatë auditimit kanë hasur ne 55 raste që dyshohet se kanë edhe natyrë penale dhe që janë proceduar në Prokurori për hetim të mëtutjeshëm.

Me Planin Vjetor për sezonin e auditimit 2020/21, ZKA-ja është duke kryer 116 auditime të rregullsisë financiare dhe të pajtueshmërisë si dhe tetë auditime të performancës.

Deputeti Salih Zyba anëtarë i Komisionit ka pyetur se për cilat institucione behet fjala për 55 rastet që kanë natyrë penale.

Auditori Osmani ka thënë se janë ndërmarrje publike, komuna. Por sipas tij, puna e ZKA-së përfundon pas publikimit të raportit dhe se nuk mund të bëjnë presion për zgjedhjen e lëndëve.

Megjithatë ka thënë se ka pasur hetues që kanë ardhur për të marrë informacionet. Sipas tij, në raporte nuk ka individë por institucione dhe se organet e hetuesisë merren tutje me ato çështje.

Osmani është pyetur nëse ka pasur kërkesë për auditim të KEK-ut.

"Nuk më kujtohet që ka bërë kërkesë KEK për auditim. Nuk kemi pengesë për auditim. Në 2016 nuk ka pasur asnjë ndërmarrje që është audituar. Qëllimi im ka qenë që të fillojmë me ndërmarrje të vogla" është përgjigjue Osmani. Sipas tij, KEK-u është ndërmarrja publike e radhës që do të auditohet.

Ai ka shtuar se do të bëjnë dy auditime për COVID-19, që njëra ka të bëjë me kapacitetet shëndetësore që ndërlidhen me barna, ndërsa auditimi i dytë ka të bëjë me menaxhimin e situatave emergjente siç ka qenë Covid-i.

Për grante në bujqësi ka thënë se ZKA ka bërë një auditim në 2018 dhe ajo çka ka ndodhur në 2020 është njëjtë me atë që ka ndodhur në 2018.