Arbëri

Osmani akuzohet se nuk po e mbron “ndarjen e pushteteve”, Presidenca i mohon akuzat

Vjosa Osmani

Opozita e shoqëria civile po e akuzojnë Presidencën se ka dalë jashtë rolit të saj kushtetues dhe nuk po e mbron pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Gjatë javës që shkoi, ministra e anëtarë të tjerë të Qeverisë, shpërndanë video e postime ku akuzuan Prokurorinë e Shtetit për mosveprim, në rastet që i kishin paraqitur ata.

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë që presidentja Vjosa Osmani duhet të reagojë ndaj sulmeve që, sipas tij, po i bëhen sistemit gjyqësor nga politika.

“Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, presidentja garanton funksionimin kushtetues të institucioneve kushtetuese, ku hynë Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor, Gjykata dhe Prokuroria. Edhe pse presidentja nuk ka ndonjë mekanizëm që ta zbatojë këtë në praktikë, së paku një adresim ku i bëhet thirrje që të ndalen sulmet dhe ndërhyrjet e papërshtatshme ndaj sistemit të drejtësisë nga ana e udhëheqësve politikë, politikës dhe secili që cenon pavarësinë e pushteteve, do të ishte i mirëseardhur”, ka deklaruar Jakaj.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK, Përparim Gruda, ka thënë se presidentja nuk po i përmbush kompetencat e saj të dala nga Kushtetuta për të garantuar pushtete të ndara institucionale.

“Presidentja ka kohë që është jashtë rolit të sajë kushtetues. Ka kohë që ajo është presidente vetëm për partinë në pushtet dhe njerëzit e pushtetit. Ndërkohë që Kushtetuta e ngarkon me detyrime për të qenë presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe për të shërbyer si një funksionare që është mbipolitike, mbipartiake. Ka kohë që presidentja Osmani në fushëveprimin e saj ndjek pikë për pikë agjendën politike të Qeverisë, të Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë kuptim ajo është jashtë rolit të saj kushtetues”, është shprehur ai.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e ka akuzuar presidenten për mosveprim.

“Presidentja duhet të jetë gardiane e Kushtetutës dhe mbrojtësja më e madhe e pushteteve të ndara, duke garantuar mosndërhyrje në pavarësinë e pushteteve. Me vetë faktin që nuk po dekreton formalisht Prokurorin e Shtetit po shihet që ka humb në rolin e saj. Sot është vonë mosdalja në mbrojte të pavarësisë së pushteteve të ndara. Si duket Kushtetuta mbrohet vetëm kur flitet për zbatimin e saj në katër komunat në veri të Mitrovicës e pjesën tjetër ia ka lënë kryeministrit ta ushtrojë ndikimin dhe administrimin e tërësishëm”, ka deklaruar ai.

Por akuzat i ka mohuar Presidenca.

Në përgjigjen e Zyrës së Presidentes, thuhet se presidentja është mbrojtëse e funksionimit të institucioneve, siç janë paraparë me Kushtetutën e vendit.

“Presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, garanton funksionimin kushtetues të institucioneve. Sipas Kushtetutës, institucionet e drejtësisë duhet të punojnë në mënyrë të pavarur, të paanshme, me integritet dhe profesionalizëm”, thuhet nga Presidenca.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të enjten ka publikuar një video duke e pyetur Prokurorinë Speciale “se për çfarë dhe për kënd punon?”. Duke e akuzuar se “po bën të kundërtën e veprimeve që do të duhej”.

E një ditë më parë përmes një videoje, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se në qendër të Prishtinës janë ndërtuar ilegalisht 700 metra lokale afariste, është bërë tjetërsim dhe bartje e pronës nga shtetërore në private dhe për të gjitha provat që ai thotë se ia ka dërguar Prokurorisë së Shtetit, asnjë veprim nuk është ndërmarrë nga ta.