Arbëri

Organizatat shqiptaro-amerikane: E pafalshme trysnia e SHBA-së e BE-së për themelim të Asociacionit

17 organizata shqiptaro-amerikane kanë konsideruar se është e pafalshme trysnia, që sipas tyre, po i bëhet Kosovës nga diplomatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Bashkimit Evropian, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne të nënshkruarit, duke paraqitur pikëpamjet e gati një milion shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, e konsiderojmë të pafalshme që demokracia më e re dhe më pro-amerikane në botë vazhdon të përballet me trysni të jashtëzakonshme nga diplomatët e BE-së dhe SHBA-së”, thuhet në komunikatën e këtyre organizatave.
Sipas tyre insistimi i zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar dhe ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill që Kosova të bëj lëshime shtesë, do ta minonte qartë qëndrueshmërinë e saj si shtet sovran dhe demokratik. 
“Krijimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, siç po kërkohet, do të ishte shkatërrues ndaj rendit kushtetues dhe karakterit shumetnik që Kosova e mishëron, duke e bërë shtetin jofunksional dhe të paqeverisshëm, ashtu siç ka ngjarë në Bosnje. SHBA-të dhe BE-ja duhet ta kuptojnë qartë dhe ta pranojnë që gjendja aktuale nuk është çështje e të drejtave të pakicës serbe. Pakica serbe ka të drejta të mëdha – të garantuara me kushtetutën e Kosovës – të cilat ne vetëm mund t’i dëshirojmë që Serbia t’ua njohë mbi 100,000 shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”, thuhet në komunikatë.

Sipas këtyre organizatave tensionet e fundit në mes të Kosovës e Serbisë janë të nxitura nga përpjekjet e vazhdueshme dhe afatgjata të Serbisë, siç thuhet, për të minuar sovranitetin, integritetin territorial dhe përparimin demokratik të Kosovës, që theksohet se janë arritur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimit Evropian (BE) dhe parterëve tjerë. “Aleksandër Vuçiq dhe regjimi i tij vazhdojnë të paraqesin rrezik serioz ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon, kryesisht për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Putinin dhe Kinën, të cilat Perëndimi është duke i nënvlerësuar me naivitet. Kosova, ashtu si Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, shihet nga Vuçiqi si një pengesë ndaj qëllimeve të tij radikale, të njëjta me ato të mentorit dhe paraardhësit të tij, Slobodan Milosheviq, për krijimin e Serbisë së Madhe”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre SHBA-ja dhe BE-ja duhet të pushojnë së ledhatuari Serbinë. “Duke i paraqitur të dyja palët si përgjegjëse për përshkallëzimet dhe aktivitetin kriminal të mbështetur nga Beogradi, BE-ja dhe NATO janë duke e trimëruar agresionin dhe revizionizmin serb. Ne e shohim kundërproduktive dhe të papranueshme që, për shembull, SHBA-ja dhe BE-ja i quajnë barrikadat forma të ‘protestimit paqësor’”, thuhet në komunikatë.

Nënshkruesit e kësaj komunikate janë organizatat shqiptaro-amerikane: Federata Pan Shqiptare – VATRA, Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA), Batalioni Atlantiku, Shoqata Malësia e Madhe, Neë York, Shoqata Malësia e Madhe, Michigan, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nga Illinois (KShAI), Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Shoqata Peja - New York, Shoqata Kraja, Shoqata Ulqini – Chicago, Shoqata Çameria, Shoqata Prespa – Chicago, Shoqata Uskana, Fondacioni Plavë Guci, Shoqata Ana e Malit Shoqata Valët e Liqenit dhe Shoqata Jehona – Michigan.