Pas Bashkimit Evropian e Britanisë së Madhe, Kosova e Serbia janë kritikuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Gjermania për moszbatim të marrëveshjes bazë. Në një përgjigje nga misionet diplomatike në Kosovë është shprehur zhgënjimi për mungesën e përparimit e vullnetit politik për implementimin e dakordimit të arritur një vit më parë, derisa kërkesë specifike kanë pasur formimin e Asociacionit.
Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si veprim të radhës nga Kosova, e kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.
Tek kanë kritikuar Kosovën e Serbinë për mungesë të progresit e vullnetit politik drejt zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar një vit më parë, përfaqësues nga SHBA-ja e Gjermania theksuan se ajo është ligjërisht e obligueshme.
Një zëdhënës në Ambasadën amerikane, përmes një përgjigjeje me shkrim për KOHËN, ka thënë se janë të zhgënjyer nga të dyja shtetet.
“Qëndrimi i SHBA-së është konsistent dhe i qartë – ne presim që Serbia dhe Kosova t'i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet nga Marrëveshja Bazë dhe aneksi implementues, dhe ta bëjnë këtë me përkushtim dhe urgjencë. Për Kosovën, kjo do të thotë përparim urgjent në plotësimin e obligimit të kahershëm të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Do të thotë gjithashtu partneritet me ne në zbatimin e rregullores së ndryshuar të BQK-së për operacionet me para të gatshme në një mënyrë që minimizon çdo ndikim negativ në komunitetin e pakicës etnike serbe në Kosovë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Nga Ambasada gjermane në Kosovë thanë se është për të ardhur keq përparimi i kufizuar drejt zbatimit të marrëveshjes bazë e aneksit të zbatimit.
“Kosova duhet të bëjë hapin e radhës duke e themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Për më tepër, duhet evituar çdo lloj përshkallëzimi në veri. Është me rëndësi të afrohet komuniteti serb në Kosovë dhe të përfshihen në procese. Atë që po shohim aktualisht me zbatimin e nxituar të Rregullores së BQK-së është e kundërta e një qeverisjeje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Christian Boettcher nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.
SHBA-ja e Gjermania kanë përmendur edhe Rregulloren e BQK-së për operacione me para të gatshme.
Nga Ambasada amerikane kanë kërkuar bashkëpunim për zbatimin e saj e nga ajo gjermane implementimin e saj e kanë parë të nxituar e në kundërshtim me qeverisjen gjithëpërfshirëse.
Të martën është bërë një vit nga dakordimi mes Kosovës dhe Serbisë për atë që njihet si Marrëveshja Bazë. Që të dyja shtetet janë fajësuar njësoj nga Bashkimi Evropian për moszbatimin e saj.
Implementimin e obligimeve të marra nga Marrëveshja e 27 shkurtit e ka kërkuar edhe Britania e Madhe.