Përfaqësues të Asociacionit të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YAHR) kanë akuzuar ekzekutivin e Komunës së Fushë-Kosovës për mostransparencë.
Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Bekim Krasniqi, ka thënë se prej muajit janar të këtij viti, kur kanë filluar të monitorojnë punën e ekzekutivit dhe Kuvendit të kësaj komune, kanë vërejtur se shumë dokumente nuk publikohen në ueb-faqen zyrtare.
“Organizata e Shoqërisë Civile ‘Youth Association for Human Rights’ ka bërë zgjerimin e aktiviteteve monitoruese të institucioneve lokale edhe në komunat tjera dhe që nga muaji janar 2021 kemi filluar monitorimin e institucionit e legjislativit në Komunën e Fushë-Kosovës. Në bazë të hulumtimeve dhe skanimit të gjendjes së punës së këtij institucionit në dy muajt e fundit, YAHR ka konstatuar se ekzistojnë disa mangësi që ndikojnë në mostransparencë të këtij institucioni”, ka thënë për KOHËN, Bekim Krasniqi. “Si mekanizëm kryesor i transparencës është ueb-faqja zyrtare e komunës në të cilën kemi shumë pak akte normative dhe dokumente të ndryshme te cilat janë publikuar dhe të cilat duhen të jenë publike. Kemi rastin e mospublikimit të ekstrakteve të procesverbaleve të mbledhjeve të
Kuvendit Komunal për vitin 2021 edhe pse janë mbajtur dy seanca plenare”.
Sipas tij, në ueb-faqe nuk është publikuar asnjë ekstrakt i procesverbaleve të Komitetit për Politikë dhe Financa që nga viti 2018.
“Nuk kemi asnjë publikim të të dhënave rreth funksionimit të komiteteve obligative dhe joobligative, apo ndonjë informacion të përbërjes së tyre, nuk ka asnjë informata rreth pozitës dhe të dhënave rreth kryesueses së Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës. Kemi mungesë të publikimeve të vendimeve komunale, ku gjatë këtyre dy muajve është publikuar vetëm një vendim në faqen zyrtare të komunës”, ka thksuar Krasniqi. “Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës nuk ndërmarrë asnjë veprim që seancat e kuvendit të transmetohen ‘live’ apo të xhiruara për qytetarët me qëllim të bërjes transparente punën e kuvendarëve komunalë edhe pse ekziston linku në ueb-faqen zyrtare të komunës për një gjë të tillë (https://kk.rks-gov.net/fushekosove/video-incizimet-e-mbledhjeve/)”.
Për këto çështje të ngritura nga YAHR, KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës, por ato kanë munguar deri në kohën e raportimit.
Për çështjen e mostranparencës dhe mos transmetimit të seancave më herët ka pasur vërejtje edhe nga këshilltarët komunalë të opozitës në këtë komunë.