Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) e ka dënuar me 6 mijë euro Komunën e Fushë-Kosovës pasi kjo e fundit nuk ka lejuar qasje në dokumente publike. Këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së në këtë komunë, Durim Hajra.
Ai e ka akuzuar ekzekutivin komunal për mostransparencë lidhur me shpenzimin e parasë publike.
“Komuna e Fushë-Kosovës renditet në mesin e komunave me nivelin me të ulët të transparencës, renditet në mesin e komunave Leposaviq, Mitrovicë e Veriut e Zveçan. Ne, në vazhdimësi kërkojmë nga qeverisja lokale që të jetë më e hapur dhe transparente, mirëpo deri më tani ka vazhduar me avazin e vjetër. Duke parë që nuk po na lejohet qasja në dokumente publike, ne iu kemi drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi, i cili konform legjislacionit në fuqi ka ndërmarrë masa ndaj Komunës së Fushë-Kosovës për shkak se nuk na ka dhënë qasje në dokumente publike”, thuhet në reagimin e Durim Hajrës. “Dje kam pranuar njoftimin nga ky Agjension se Komunës së Fushë-Kosovës i janë shqiptuar dy gjoba nga 3,000€, për shkak se nuk na ka dhënë qasje në dokumentet publike të kërkuara. Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me një papërgjegjësi totale si në raport me transparencën po ashtu edhe në raport me paranë publike”.
Këshilltari Hajra i ka thënë KOHËS se nga komuna kanë kërkuar qasje në të gjitha marrëveshjet e kryetarit dhe Drejtorisë së Urbanizmit që i kanë nënshkruar me ndërtuesit në kuadër të bonuseve për ndërtim në periudhën 2017-2022. Kurse në kërkesën tjetër është kërkuar lista e të punësuarve me kontratë për punë specifike gjatë vitit 2022 nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe lista e përfituesve të mbështetjes financiare nga subvencionet dhe transferet për vitet 2021 dhe 2022.
Shefi i GK të LVV-së ka theksuar se kryetari i komunës, Burim Berisha, në këtë rast po e shkelë ligjin duke ua pamundësuar qasjen në dokumente që, sipas tij, do të duhej të ishin publike.
“Por edhe po e dëmton buxhetin e komunës me vetëdije të plotë. Jemi në pritje të përgjigjeve edhe të disa kërkesave të tjera. Uroj që kryetari mos të vazhdojë me këtë mostransparencë sepse tash po e dëmton edhe paranë publike dhe për këtë gjë duhet të jap përgjegjësi penale”, ka thënë ai.
Në vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi thuhet se shqiptohet gjobë ndaj Komunës së Fushë-Kosovës për moszbatimin e vendimit të këtij institucioni Nr. A-12/2023 të datës 27.01.2023 në shumën prej 3 mijë eurosh për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike.
Njësoj shkruhet edhe në vendimin tjetër të të njëjtës datë. KOHA është në pritje të përgjigjeve nga Komuna e Fushë-Kosovës lidhur me moslejimin e qasjes në dokumente publike dhe akuzave të LVV-së.