Mungesa e publikimit të listës së përfituesve para ekzekutimit të bursave ka shkaktuar pakënaqësi te disa studentë në Fushë-Kosovë. Ata kanë thënë se ka munguar transparenca dhe se publikimi i listave është bërë tek pas ankesave. E, opozita në këtë komunë ka paralajmëruar veprime.
Studentë nga Fushë-Kosova pritën katër muaj për të mësuar nëse janë përfitues ose jo të bursave të ndara nga Kosova.
Një nga ta, Vesa Piskala, ka thënë se përgjigjen e mori vetëm kur u interesua vetë. Pasi pati dëgjuar se disa studentëve u ishin ekzekutuar pagesat pa u publikuar rezultatet, ajo ka kërkuar sqarime e edhe ka dorëzuar ankesë në Drejtorinë e Arsimit.
“Në fillim të muajit korrik disa studentëve u është ekzekutuar pagesa, por nuk është shpallur asnjë listë zyrtare nëse jemi përfitues apo nëse jemi refuzuar. Kur e kam pa këtë situatë, e kom dorëzuar një kërkesë në Drejtorinë e Arsimit ku kam kërkuar listën e përfituesve, atyre që janë refuzuar dhe procesverbalin. Pas reagimit publik, Komuna e Fushë-Kosovës e ka publikuar listën e parë të studentëve që janë përzgjedhur”, ka thënë ajo.
Publikimi i listës së parë të përfituesve është bërë më 17 korrik, pasi paraprakisht komuna ia shpërndau mjetet një numri studentësh.
Në Komunë e kanë arsyetuar veprimin, e edhe faktin që përfituesit morën paratë pa nënshkruar kontratën që, sipas shpalljes, duhej t’i paraprinte alokimit të mjeteve në llogari.
Edhe
Toponimet serbe “mirëmbahen” nga vetoja e deputetëve serbë
“Ndihmat momentale të listës së parë kanë filluar të shpërndahen para se të publikohej lista, për shkak të vëllimit të angazhimeve të Komisionit, të cilët njëkohësisht po përgatisnin listën e dytë. Nuk është i nevojshëm nënshkrimi i kontratës, pasi bursa në fjalë është thjesht ndihmë momentale”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Fushë-Kosovës.
Tri ditë pas listës së parë, është publikuar edhe e dyta me përfitues, por të cilëve u është premtuar se mjetet do t’u dalin në llogari më vonë.
Studentja Piskala ka thënë se edhe listat i ngjallën dyshime, meqë kanë përmbajtur vetëm emrin dhe mbiemrin e studentëve dhe jo edhe drejtimin e studimit dhe as rangimin sipas vlerësimit. E në Komunë kanë thënë se qëllimshëm nuk publikuan të dhënat, me arsyetimin për të ruajtur konfidencialitetin dhe privatësinë e studentëve.
Për publikimin e listave në këtë formë, ka reaguar opozita në Fushë-Kosovë, dhe ka paralajmëruar veprime.
“Do t’i përdorim të gjithë mekanizmat institucionalë për të siguruar transparencë të plotë, duke kërkuar publikimin e pikëve të aplikuesve, raportit dhe procesverbalit të komisionit vlerësues, si dhe çdo dokumenti tjetër që e arsyeton këtë proces”, ka thënë Laureat Gojnovci, shef i asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës.
Edhe
Kërcënim i ri nga Serbia
Në kuadër të kësaj skeme të mbështetjes financiare, 651 studentë të nivelit bachelor kanë përfituar nga 300 euro, ndërsa 134 studentë të nivelit master kanë përfituar nga 400 euro.
Egzona Mema