Politikani opozitar në Serbi, Boban Bogdanoviq, është ndaluar pasditen e së shtunës nga policia kufitare e Serbisë në pikëkalimin kufitar me Kosovën, në Merdar. Ndalimi i Bogdanoviqit ka ndodhur një ditë pasi që në po këtë pikëkalim ishte ndaluar edhe politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, e cila së fundi është emëruar këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq. Në deklaratën dhënë KOHËS, Rashiqi e ka kualifikuar ndalimin e tij si një persekutim të paligjshëm politik të serbëve që nuk pajtohen me regjimin e Aleksandar Vuçiqit.
“Është ndalur rreth orës 12 dhe e njëjta procedurë është… po e bëjnë të njëjtën procedurë si me Rada Trajkoviqin. Me këtë po vazhdon persekutimi joligjor ndaj të gjithë atyre serbëve që nuk mendojnë njëjtë me regjimin në Beograd”, ka thënë Rashiq.
Kundër ndalimit ka reaguar nëpërmjet Twitterit edhe subjekti politik “Odgovor” që drejtohet nga Bogdanoviqi, që e kanë quajtur represion politik e të paligjshëm ndalimin e udhëheqësit të saj.
“Boban Bodganiviq, kryetar i Lëvizjes Qytetare Odgovor sapo u ndalua në Merdar. Hakmarrje për aktivitet politik në Kosovë. Pas Rada Trajkoviqit edhe një represion politik i radhës. Serbia po e shkel Kushtetutën dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve të saj”, shkruhet në postimin e Lëvizjes Qytetare “Odgovor” (Përgjigjja).
Gjatë pasdites së të shtunës për portalin e mediumit “N1” të Serbisë, ai ka thënë se s’ka arsye tjetër ndalesë veç konferencës për media që e kishte dhënë në Kosovë.
“Arsyeja e ndalimit tim në pikëkalim ishte konferenca për media që u mbajt në Kosovë bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si dhe takimi me kryeministrin Albin Kurti, i cili ishte shumë konstruktiv. Kurti tregoi respekt për organizatën politike që unë e udhëheq dhe regjistrimi i “Odgovor’ është në proces”, ka thënë Bogdanoviqi për N1.
Boban Bogdanoviq kishte qëndruar në Kosovë nga 14 dhjetori, kur e kishte nënshkruar një marrëveshje me nismën qytetare “Liri, Drejtësi, Mbijetesë” të Rashiqit. Në konferencën e mbajtur me këtë rast, ai e kishte akuzuar presidentin serb për mbështetje të grupeve kriminale në veri, të udhëhequra nga Millan Radoiçiqi e Zvonko Veselinoviqi, të cilët janë në listë të zezë të Thesarit Amerikan dhe të Shërbimit të Jashtëm britanik.
“Nuk ka kthim të ushtarëve, këto janë marrëzira që shfrytëzohen për përfitim të pikëve politike të Aleksandar Vuçiqit. Shihni situatën, ne serbët së shpejti do të kremtojmë Shën Nikollën dhe gratë e burrat që janë të punësuar në ndërmarrjet publike po sillen me orar dhe po shantazhohen për të bërë punën që nuk po e bëjnë në prani të tyre. Që fëmijët të mos shkojnë në shkolla, të tregohet një imazh i rremë i terrorit që po ushtrohet ndaj popullit serb nga autoritetet e Prishtinës, që është një gënjeshtër absolute. Terrorin po e bëjnë vetëm klani kriminal i Radojçiqit dhe Veselinoviqit”, kishte thënë Bogdanoviq gjatë një konference në Qendrën Mediale në Çagllavicë.
Ndërkaq të shtunën, Trakoviqi ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Twitter se është liruar nga spitali në Prokuplje, ku ishte dërguar për trajtim të premten, pas përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore gjatë ndalimit.
“Në gjashtë të mëngjesit jam liruar prej spitalit për trajtim shtëpiak. Gjendja ime është stabile. Faleminderit atyre që luftuan për mua. Më forcoi. Falënderoj të gjithë aktorët politikë në Kosovë dhe Serbi që me vendosmëri folën kundër torturës. E vërtetuan që janë njerëz të mëdhenj”, ka shkruar Trajkoviq.
Për më tepër, ajo vlerësoi se me trajtimin e saj, Serbisë i ka rënë përtokë pretendimi se është shtet demokratik.
“S’prisja më mirë prej regjimit. Ditët e fundit kanë treguar fytyrën e vërtetë. Maska proevropiane ka rënë dhe të gjithë e dimë se me çka kemi të bëjmë: njerëz që urrejnë patologjikisht kundërshtuesit dhe e abuzojnë ligjin për ta shkatërruar këdo që i del në rrugë, qoftë serb, shqiptar a kroat”, ka shkruar Trajkoviq.
Para kësaj, ajo pati thënë për të përditshmen “Danas” se për mbi 20 orë në Merdar po mbahej pa ujë, ushqim dhe ilaçe.