Arbëri

Opozita thotë se Osmani ka qenë në funksion të Qeverisë

E heshtur karshi problemeve me të cilat janë ballafaquar qytetarët e në funksion të partisë në pushtet, opozita vlerëson se ka qenë Vjosa Osmani në vitin e parë të saj si presidente.

Osmani është zgjedhur në krye të shtetit, më 4 prill të vitit të kaluar.

Nga Lidhja Demokratike të Kosovës kërkojnë që presidentja Osmani të jetë më aktive.

“Besoj që tanimë qytetarët e kanë të qartë që presidentja në fjalë është e heshtur për shumë çështje kruciale me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës dhe shpresojmë jashtëzakonisht shumë që ky vit të jetë i fundit për sa i përket pasivitetit dhe heshtjes së saj karshi qytetarëve dhe problemeve me të cilat ballafaqohen. Është një pozitë e pavarur dhe asnjëherë nuk duhej që të inkriminohej në partinë e cila është duke udhëhequr me mbi 50 për qind të votave”, tha zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

E Partia Demokratike e Kosovës thotë se presidentja Vjosa Osmani nuk është duke kryer një nga detyrat që ka, përfaqësimin e unitetit.

“Presidentja Osmani për dallim nga e kaluara e saj politike, tash një vit të shpeshtën preferon që për shumë zhvillime në vend të mos deklarohet fare, disa të tjera i përmend vetëm shkarazi, e janë të pakta ato për të cilat ajo ka vlerësime dhe qëndrime të qarta. Me një qasje të tillë hezituese në përmbajtje dhe të vonshme në reagime, ajo e ka të pamundur ta kryejë njërin nga detyrat kryesore të funksionit të saj si presidente - përfaqësimin e unitetit. Përpjekja e Presidentes që të qëndrojë pandalshëm në valë të njëjta politike me kryeministrin, është bërë busollë e saj orientuese. Kjo po e venit deri në deformime rolin e saj e cila sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi në Kosovë, nuk është ceremoniale as e parëndësishme, përkundrazi”, tha zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Një ditë më parë, në një konferencë për media, në njëvjetorin e udhëheqjes me shtetin, Vjosa Osmani tha se në çdo takim ka mbrojtur interesin shtetëror të Kosovës.

Ajo përmendi vizitat që ka realizuar gjatë vitit, derisa tha se është angazhuar në sigurimin e vaksinave dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe fëmijëve.