Arbëri

Opozita i kërkon VV-së ta ketë prioritet interesin e shtetit

Kuvendi i Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbnore Salihu, ka thënë se pas 47 dështimesh të konstituimit të Kuvendit ka dalë në pah se Lëvizja Vetëvendosje është bllokuesja. 

Pas mbylljes së seancës së Kuvendit, Salihu ka shtuar se Kuvendi është shndërruar në zyrë private të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. 

“A është ky Kuvendi i Republikës së Kosovës apo zyra private e Albin Kurtit. Deputetët janë përfaqësues të popullit jo vegla të një njeriu që nuk njeh rregullore e as përgjegjësi... Ka vetëm propagandë, ka vetëm zbrazje të vendit. Qindra mijëra të rinj e kanë lëshuar Kosovën kohëve të fundit. Nuk kanë pasur kohë të merren me rininë sepse kanë qenë të zënë duke shkelur Kushtetutën. Problemi nuk është konstituimi, problemi është synimi për ta shkatërruar gjithë sistemin. Po kërkohet votim i fshehtë që askush të mos e kuptojë se ndihma po vjen nga Lista Serbe”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka kërkuar nga liderët politikë të demonstrojnë pjekuri politike dhe vullnet për të bërë kompromise në interes të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit.

Sipas tij, nuk duhet treguar të rrezikshëm ndaj njeri-tjetrit, por unikë kundër atyre që nuk e duan Kosovën stabile dhe në paqe. 

“Vendosja e interesit shtetëror mbi atë partiak për LDK-në çdo herë ka qenë referencë kyç e në veçanti kur jemi para vështirësive të ndryshme, para rreziqeve në ngritje. Ne sot po përballemi me rreziqe nga jashtë, po ashtu edhe të brendshme. Kërcënimi kryesor dhe i drejtpërdrejt vjen nga Serbia. Prapa i qëndron Rusia me aleatë. Në Kosovë gjenerohen probleme socio-ekonomike. Rritja e çmimeve të mallrave, kriza energjetike, kriza ekonomike dhe papunësia e lartë, krimi dhe korrupsioni. Në këtë gjendje nuk ka kuptim të bëhemi të rrezikshëm për njëri-tjetrin, duhet të jemi unikë si kurrë më parë dhe të rrezikshëm vetëm për ata që nuk e duan Kosovën stabile, të zhvilluar e në paqe”, është shprehur ai. 

Teksa deputetja e partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e ka përmendur rastin e Astrit Deharit, duke e akuzuar qeverinë në detyrë se i kanë zhdukur mostrat e këtij rasti vetëm për të mos u zbardhur.

“Isha dje në QKUK dhe e pashë fotografinë e Astrit Deharit me atë shprehjen e famshme “duam drejtësi për Astrit Deharin”. Ndjeva keqardhje, tash ky nomadi me partinë e vet, që nuk ka as shtëpi, por as pasuri siç e deklaron, ka ardhur në pushtet me kauza, duke mos kursyer as jetët e njerëzve, as të Astrit Deharit, dhe tash shihni kaluan gjashtë vjet të qeverisjes Kurti qe nuk ka drejtësi për Astrit Deharin. A kërkuan drejtësi as nuk e zbardhen rastin, por edhe i dogjën mostrat e rastit të Astrit Deharit e Institutin e Mjekësisë Ligjore për të mos u zbardhur rasti i Deharit. Kjo është qeveria Kurti që po udhëhiqet nga një nomad që e ka emrin Albin Kurti”, ka thënë ajo.

Lexo përditësimet tjera
seanca 15 korrik

Kuvendi s’njeh emër tjetër përveç dështimit që nga 15 prilli

Asgjë e re as këtë të martë sa i përket Kuvendit të Kosovës. Deputetët e kësaj...