LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Opozita me dëm për shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin për votimin e fshehtë

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, Albin Kurti, ka thënë se emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit nuk është në pikëpyetje. Sipas tij, përgjigjja për situatën e krijuar është votimi i fshehtë, për mosrealizimin e të cilit akuzoi partitë e deritanishme në opozitës se në dëm të Kosovës është duke pamundësuar kuorumin.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka fajësuar partitë e deritanishme në opozitë për ngërçin politik.

Të dielën dështoi tentimi i 21-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.

Partia që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, insiston që kryetari i Kuvendit të votohet në mënyrë të fshehtë, gjë të cilën e kundërshtojnë partitë e tjera.

Sipas kryeministrit, me pamundësimin e kourumit, partitë e tjera janë duke dëmtuar Kosovën.

“Albulena Haxhiu nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. E, përgjigja është votimi i fshehtë për çfarë opozita padrejtësisht dhe me dëm për shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin”, tha Kurti.

Konstituimi i Kuvendit ka ngecur në zgjedhjen e komisionit zgjedhor që mundëson votimin e fshehtë.

Ndonëse prezentë në sallë, deputetët nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e Lista Serbe nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision e kur ai hidhet në votim nga kryesuesi nuk marrin pjesë në votim.
Lëvizja Vetëvendosje ka 48 deputetë, por edhe me përkrahjen e 8 deputetëve nga komunitetet jo shumicë, kjo parti nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Një ditë më parë, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se VV-ja ka kontaktuar më shumë se dy deputetë të saj për të bashkëpunuar.

Por, të hënën, kryetari i kësaj partie. Lumir Abdixhiku, nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHA-s për të ndarë më shumë hollësi.

Nëse janë kontaktuar nga VV-ja, janë pyetur edhe 10 deputetë të tjerë të LDK-së.

Por, vetëm dy prej tyre janë përgjigjur duke mohuar se janë deputetët që LDK-ja tha se janë kontaktuar nga VV-ja.

Deputeti Fadil Hadërgjonaj tha se qëndron prapa qëndrimit të LDK-së.

“Personalisht nuk kam pas... Sa kam parë unë nuk ka arrit dikush të fitoj mandat si i pavarur. Edhe është krejtësisht normale dhe do të ishte normale që pavarësisht qëndrimit që mund të ketë cilido individ, është qëndrimi i partisë që do të duhej të përmbahesh. Tani për tani e kemi bërë publike, është shumë publike qëndrimi i Lidhjes Demokratike. Nuk është qëndrim individi. Është qëndrim strukturash. Tani edhe me më pyet natyrisht që nuk ndryshon kurgjo se ai është qëndrimi zyrtar”, tha Hadërgjonaj.

Njëjtë deklaroi edhe deputeti Krenar Xhaferi.

“Nuk jam kontaktuar nga VV-ja për asnjë çështje. Kam bindje të ndryshme nga ta dhe u qëndroj besnike qëndrimeve të LDK-së”, tha Xhaferi.

Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Të martën, me fillim nga ora 11 mbahet vazhdimi i 22 i seancës konstituive të Kuvendit.