Arbëri

Haxhiu: S’përjashtoj mundësinë që ndonjë deputet nga opozita të na bashkohet

Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës. 

Haxhiu ka thënë se nuk e shohin të nevojshëm një koalicion të tillë.  Vetëvendosje po parashikohet që të ketë të paktën 56 deputetë në legjislaturën e re. 

“Nuk do të synojmë koalicion me LDK-në, pasi nuk e shohim të nevojshme. Do të kemi sa më parë takime në raport me disa çështje që kanë mbetur, si plani i rritjes dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Haxhiu në “Interaktiv” të KTV-së. “Ne kemi thënë në vazhdimësi gjatë kësaj kohe se na duhet mbështetje që të mos varemi nga votat e deputetëve të opozitës. Pasi nëse varesh qoftë edhe nga një deputet, situata po bëhet tepër e vështirë dhe kërkesat po janë në shpërputhje me fuqinë e tyre politike”. 

Por, ish-ministrja e Drejtësisë nuk e ka përjashtuar mundësinë që ndonjë deputet nga partitë që do të jenë në opozitë do t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje. 

“Nuk përjashtojmë mundësinë që dikush nga deputetët e partive opozitare të na bashkohet...Në situatën kur kishim insistuar për komisionin për votim të fshehtë, kishte deputet të grupeve parlamentare opozitare që në takime në Kuvend na thoshin insistoni për komisionin për votim të fshehtë pasi do t’ju mbështesim. Por, ia pamundësuan deputetëve ta ushtrojnë detyrën e tyre të votës. Dikush mund ta konsideroj qasje të padrejtë, pasi ishte e padrejtë...Mund që për shkak të këtyre veprimeve që kanë bërë, e për shkak të rezultatit zgjedhor – nuk po paragjykoj pasi nuk kam informacion se cili prej tyre mund të jetë – s’përjashtohet mundësia që dikush në të ardhmen të na bashkohet”, tha Haxhiu. 

 


Haxhiu: S’kam besuar se do ta tejkalonim rezultatin e vitit 2021

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e ka pritur që partia e saj në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të dilte më mirë se që kishte dalur në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. 

Bazuar në rezultatet preeliminare të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e në të cilat nuk janë votat me kusht dhe ato nga jashtë, Vetëvendosja kryeson me 49.34 për qind, ndërsa PDK-ja është e dyta me 20.98 për qind. LDK-ja ka pësuar rënien më të madhe dhe gjendet në vendin e tretë me 13.57 për qind. 

Në zgjedhjet e vitit 2021, VV-ja kishte marrë 50.28 për qind. 

“Personalisht s’kam besuar se do të tejkalojmë rezultatin e vitit 2021. Me rezultatet që janë, të paktën ato preeliminare, po del që Lëvizja Vetëvendosje merr më shumë mbështetje sesa në vitin 2021, ku ka qenë fitore historike po ashtu. Unë personalisht nuk e kam pritur, ndonëse nga takimet në terren na kanë dëshmuar mbështetjen që e kemi pasur. Qytetarët kanë qenë të brengosur me gjendjen që ka kaluar vendi, sidomos në dhjetë muajt e bllokadës. Por, ky rezultat natyrisht është tepër i rëndësishëm për Vetëvendosjen, por na shton angazhimin dhe përgjegjësinë që kemi ndaj qytetarëve”, tha Haxhiu në “Interaktiv” të KTV-së.

Haxhiu pyetet nëse do të jetë kryetare e Kuvendit: Kudo që e vlerëson VV dhe Albin Kurti

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje nuk ka treguar nëse do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit sërish, pas dhjetëra përpjekjesh të dështuara për këtë pozitë pas zgjedhjeve të shkurtit.

Ajo ka insistuar në përgjigjen se “kudo që e vlerëson VV-ja dhe Albin Kurti”, aty do të jetë.

“Kudo që vendos VV dhe Albin Kurti. Gjithnjë e kam pasur këtë. Sepse edhe për këtë periudhë kudo që VV do ta vlerësoj që unë mund të jem për një përgjegjësi të caktuar. Kudo që e vlerëson VV dhe Albin Kurti. Mendoj që është shumë e rëndësishme që t’i përgjigjemi kërkesave që ka VV dhe kryeministri Kurti”, ka thënë ajo në “Interaktiv”.