Kryetarët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, kanë reaguar pas humbjes së jetës së nënës dhe fëmijës së saj pesëvjeçar si pasojë e vërshimeve në Pejë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria që të jetë aktive dhe t’i shfrytëzojë kapacitetet e saj logjistike dhe materiale për t’i ndihmuar qytetarët dhe institucionet e Pejës që ta përballojnë këtë situatë.
“Ashtu siç kanë shkaktuar edhe shumë dëme të mëdha materiale, për të cilat, pas komunikimit me zyrtarët në qytetin e Pejës, mësova se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për sanimin dhe rikuperimin e tyre. E rëndësishme është që i gjithë vendi, pa përjashtim, në këtë moment sfidues, të solidarizohet me qytetin e Pejës dhe të ofrojë mbështetjen e parezervë për tejkalimin e kësaj situate”, ka shkruar ai në Facebook.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë thirrje për institucionet qendrore të mobilizojnë të gjithë mekanizmat shtetëror që t’u dalin në ndihmë të menjëhershme qytetarëve të prekur nga vërshimet.
“Institucionet tona duhet të koordinohen me të gjitha organet lokale për t’iu përgjigjur nevojave të familjeve tona në përballje me këtë situatë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se solidariteti dhe bashkëpunimi janë thelbësore në momente të tilla për të ndihmuar bashkëqytetarët.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria, Komuna dhe institucionet tjera përgjegjëse që të veprojnë me vendosmëri e seriozitet.