Vaksinimin e 500 mijë personave në muaj kundër COVID-19, synon ta arrijë Ministria e Shëndetësisë, sipas planit të veprimit për vaksinim masiv të qytetarëve kundër COVID-19.
Sipas këtij plani të publikuar në faqen e MSH-së, është treguar se planifikohet angazhimi i 190 specializantëve për këtë proces, dhe do të jenë më shumë se 200 ekipe të aktivizuara.
Në 24 faqe të planit të veprimit, nuk jepen shumë detaje për kohën dhe si renditen kategoritë për vaksinim.
Por, në Planin Shtetëror të Vaksinimit, thuhet se gjatë fazës së tretë, e cila është edhe faza e fundit, parashihet vaksinimi i 50% të popullsisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, javë më parë, ka treguar se kanë arritur marrëveshje me kompaninë “Pfizer”, për sjelljen e mbi 1 milion dozave dhe se vaksinimi masiv do të fillojë nga 15 qershori.
Por, për fillimin e këtij procesi dhe për ardhjen e një numri të madh vaksinash në Kosovë, ende është skeptike opozita.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ka shumë paqartësi dhe jo transparencë për çështjen e vaksinave.
“Është pritur që të ketë transparencë më të plotë dhe ndryshimet që janë bërë në planin e imunizimit vetëm janë komplikuar situata nga ajo që është planifikuar dhe ka qenë strategji mirë e hartuar. Duke u munduar të bëjnë diçka më ndryshe vetëm janë duke e komplikuar situatën dhe kjo shkakton dëm tek popullata”, ka thënë Zemaj.
E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se vendi është shumë prapa në proces të vaksinimit.
“Më shumë se politike për të bërë me këtë çështje, nga Ministria e Shëndetësisë presim profesionalizëm, pra që të lë deklarimet politike dhe të merren me punë praktike në terren”, ka thënë Haxhiu.
Sipas tyre, Komisioni për shëndetësi, në ditët në vijim do të kërkojë që të ketë qasje në kontratat konfidenciale ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe kompanisë për sigurimin e vaksinave.
Për rreth 3 muaj, në Kosovë kanë arritur të vaksinohen më shumë se 88 mijë qytetarë, prej tyre vetëm 800 me të dyja dozat.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë pranuar të japin detaje shtesë të Planit dhe vaksinimit masiv.