Arbëri

Opozita dhe shoqëria civile kërkojnë që Qeveria ta ketë prioritet pandeminë

Sigurimi i vetëm 24 mijë dozave të vaksinës kundër COVID-19, për qytetarët e Kosovës, po kritikohet nga shoqëria civile dhe opozita. Prej tyre është kërkuar që qeveria e re ta ketë prioritet menaxhimin e pandemisë, si dhe rimëkëmbjen ekonomike. Ndërkohë, 512 persona të moshës mbi 85 vjeç u vaksinuan brenda tri ditësh

Sigurimi i sa më shumë dozave të vaksinës kundër COVID-19, e vaksinimi masiv duhet të jenë prioritete të Qeverisë, sipas shoqërisë civile e partive opozitare.

Për Grupin për Studime Juridike dhe Politike, menaxhimi i pandemisë, vaksinimi i së paku gjysmës së popullsisë deri në fund të vitit si dhe sanimi i dëmeve ekonomike që ka shkaktuar COVID-19 janë disa nga veprimet urgjente që duhet t’i ndërmarrë Qeveria Kurti 2.

“Vaksinimi nuk duhet të bëhet në mënyrë selektive. MSH-ja duhet të zhvillojë një fushatë sensibilizuese për t’i inkurajuar qytetarët që të vaksinohen”, është shprehur Njomza Arifi nga GLSP-ja.

Sigurimin e shpejtë të vaksinave e ka kërkuar edhe Shemsedin Dreshaj, deputet nga AAK-ja, dhe njëherësh infektolog.

“Kërkojmë të bëhet publik plani për menaxhimin e pandemisë dhe vaksinimit. Kërkojmë që menjëherë dhe pa vonesë të shfrytëzohet buxheti i paraparë për blerjen e vaksinave. Nuk ka kuptim pse duhet të hezitohet. I rekomandojmë Qeverisë që me rrugë urgjente të kontaktohen vendet mike për sigurimin e sasive të nevojshme të vaksinës, qoftë në rrugë zyrtare apo shfrytëzimin e personave publikë me ndikim në këto vende”, ka thënë ai.

Dreshaj e ka ftuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, t’i bashkërendojë forcat me ministrat paraprakë, Zemaj dhe Ismaili, që të bashkëpunojnë lidhur me menaxhimin e situatës.

Në anën tjetër, edhe gjatë së shtunës ka vazhduar vaksinimi i qytetarëve në Qendrën e Vaksinimit “1 Tetori”.

“Është duke ecur si më së miri, deri tani nga dita e parë të vaksinuar, kemi 512 perona, derisa deri në këto çaste që po flasim kemi 62 të tjerë, presim që edhe më tutje të tjerë të vijnë deri në mbarimin e orarit, fatbardhësisht situata është e qetë”, ka deklaruar Niman Bardhi, koordinator i qendrës së vaksinimit “1 Tetori”.

Vaksinimi në Kosovë ka filluar vetëm pak kohë më parë, derisa për çështjen e sigurimit të vaksinave ka pasur kritika të vazhdueshme ndaj qeverisjes së kaluar.