Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

OJQ Koha akuzon kreun e Klinës për pengim të aktivitetit

Klinë, 30 qershor - Organizata joqeveritare Koha përmes një komunikate për medie ka shprehur shqetësimin e saj për pengimin e procesit të politikave publike që është duke u bërë nga kryetari i Komunës së Klinës dhe një pjesë e këshilltarëve të Kuvendit Komunal.

Sipas kumtesës, kryetari i Komunës së Klinës dhe këshilltarët e Kuvendit, gjatë diskutimeve në seancën e Kuvendit Komunal të datës 29, Qershor 2017, kanë kontestuar, pa asnjë arsye dhe bazë ligjore, një marrëveshje mirëkuptimi të arritur në mes të OJQ Koha-së dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për zgjedhjen e këshillave lokale në territorin e Komunës së Klinës. Sipas tyre OJQ Koha nuk ka njoftuar ekzekutivin e Komunës me procesin e organizimit të zgjedhjeve për katër këshilla lokale si dhe akuzuan të njëjtën organizatë për konflikt interesi dhe mosorganizim të zgjedhjeve për të gjitha fshatrat e Komunës së Klinës. Gjithashtu, këshilltarët e Kuvendit Komunal akuzuan Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila, gjithnjë sipas tyre, është duke i anashkaluar institucionet e nivelit lokal duke i dhënë kompetenca një organizate joqeveritare në domenin e politikave publike komunale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

OJQ Koha dëshiron të sqarojë se ka aplikuar në një thirrje për grante të vogla pranë Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për të organizuar, gjegjësisht për të lehtësuar fillimin e zbatimit të Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatra, vendbanime dhe lagje urbane, grant i cili është dhënë nga kjo ministri. Tutje, OJQ Koha në organizimin e procesit të zgjedhjeve në katër lokalitete (Zllakuqan, Ujmirë, Sferkë dhe Jashanicë) ka ndjekur me përpikëri nenet e rregullores për zgjedhjen e këshillave lokale duke organizuar takime me Komisionin Komunal për zgjedhjen e këtyre këshillave si dhe duke njoftuar me kohë qytetarët e këtyre katër lokaliteteve. OJQ Koha, bazuar gjithnjë në këtë rregullore, nuk ka pasur asnjë obligim të njoftojë paraprakisht kryetarin e Komunës, pasi që e njëjta rregullore nuk parasheh një gjë të tillë. I vetmi institucion i cili do duhej të informohej është Kuvendi Komunal, të cilit do duhet t’i raportohej vetëm pas përmbylljes së procesit.

OJQ Koha e konsideron si të paarsyeshëm këtë reagim të zyrtarëve dhe disa përfaqësuesve politikë të Komunës së Klinës, pa ndonjë bazë ligjore, dhe me të vetmen tendencë për të sabotuar punën e një organizate joqeveritare në nivel lokal, e cila është ‘’sulmuar’’ disa herë në të kaluarën nga të njëjtit zyrtarë dhe përfaqësues politik.

OJQ Koha, me këtë rast, sqaron opinionin se ka dashur që në bashkëpunim me Komisionin Komunal për zgjedhjen e këshillave lokale në territorin e Komunës së Klinës, dhe me një financim modest nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të fillojë procedurën për lehtësimin e organizimit të zgjedhjes së këtyre këshillave dhe assesi si organizatë t’i legjitimojë të njëjtat, pasi që të njëjtat legjitimohen vetëm me praninë e së paku njërit nga anëtarët e Komisionit Komunal, edhe pse personeli i së njëjtës organizatë është ligjërisht pjesë e zgjedhur në Komisionin Komunal i cili ka mundur të legjitimojë zgjedhjet, gjithnjë sipas Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatra, vendbanime dhe lagje urbane.

Vlen të ceket se kjo rregullore, e miratuar me datë 30.01.2015 nga Kuvendi i Komunës, ende nuk ka filluar së zbatuari, edhe pse neni 22, paragrafi 2, i së njëjtës përcakton se Komuna është e obliguar të fillojë së zbatuari të njëjtën brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi.

Në fund, si pasojë e kontestimit të punës së OJQ Koha-së dhe Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nga kryetari i Komunës së Klinës dhe disa nga këshilltarët komunalë, OJQ Koha ka suspenduar përkohësisht aktivitetet e këtij projekti deri në sqarimin e kësaj gjendjeje me institucionet e nivelit qendror dhe nivelit lokal të qeverisjes.