Objekti i shkollës në fshatin Leshan të Suharekës, ku janë investuar mbi 1.3 milionë euro, ka filluar të demolohet pa i bërë tre vjet nga funksionalizimi. Kjo, për shkak se një pjesë e objektit ka mbetur e pambuluar. Në kompaninë që është përgjegjëse për ndërtimin e objektit kanë thënë se janë detyruar t’i ndërpresin punimet për shkak të rritjes së kostos të materialeve ndërtimore
Muret në shkollën “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Leshan të Suharekës kanë filluar të plasariten, edhe pse objekti është i ri, i funksionalizuar në vitin 2020.
Dëmtimi vlerësohet se u bë për shkak se punimet në sallën e edukatës fizike u lanë në gjysmë. Që nga viti i shkuar tavani i palestrës qëndron i hapur, e kësisoj objekti nuk i përballoi reshjet atmosferike.
Drejtori i shkollës, Jeton Vranovci, ka thënë se punimet për ndërtimin e sallës kanë filluar në vitin 2020.
“Këtu kanë qenë në vitin e kaluar, kanë vendosur disa pjesë metalike për mbulimin e çatisë, ndërsa pjesa ka mbetur e pambuluar, kështu që përpos që na pengon ne në mosrealizimin e planprogramit në edukatën fizike, kjo shkakton edhe dëme në këtë pjesë të shkollës brenda, sepse të reshurat, uji dhe bora nuk kanë ku të shpërndahen dhe futen këndej nga pjesa e brendshme e shkollës”, ka thënë ai.
Përveç dëmeve në hapësirat e shkollës, mosfunksionalizimi i saj ka shkaktuar vështirësi në zhvillimin e lëndës të edukatës fizike.
Art Gashi, nxënës në klasën e nëntë, tregon se ai dhe moshatarët e tij janë aktivë e marrin pjesë në gara sportive. Mirëpo për t’u përgatitur detyrohen që ushtrimet t’i zhvillojnë në një fshat tjetër.
“Lëndën e edukatës fizike e realizojmë zakonisht brenda me teori, ndonjë ditë kur është moti i mirë, e zhvillojmë përjashta, por kemi vështirësi për shkak të sallës kur është moti i keq, nuk mundemi me zhvillu. Edhe përgatitjet për çdo garë komunale që kemi, si për futboll, si për çdo sport tjetër, na detyrohemi t'i zhvillojmë në parkun e Leshanit, ose në palestrën që është në Shirokë, duhet të shkojmë në vende më të afërta për realizim”, deklaroi nxënësi Gashi.
Mbi 1.3 milionë euro u shpenzuan për ndërtimin e shkollës dhe palestrës.
Besim Bajramaj, menaxher në kompaninë “Bajramaj”, e cila është përgjegjëse për ndërtimin e sallës, përmes telefonit ka thënë për KOHËN se janë detyruar t’i ndërpresin punimet, për shkak të rritjes së kostos të materialeve ndërtimore.
“Jemi detyruar të hyjmë edhe në kredi, vetëm që t’i mbulojmë shpenzimet. Në javën tjetër do të shkojmë dhe do t’i përfundojmë punimet, si dhe pjesën ku ka pasur dëme do ta riparojmë”, ka thënë ai.
Për zvarritjen e punimeve në objektet shkollore, në Ministrinë e Arsimit kanë deklaruar më herët se ka ndikuar çështja e ndryshimit të çmimeve në treg, si dhe vendimi i Qeverisë për kompensimin e operatorëve ekonomikë që janë prekur nga rritja e kostos së materialeve.
Sipas Ministrisë, për këtë arsye operatorët ekonomikë kanë pritur që vendimi të hyjë në fuqi dhe të shfrytëzohet e drejta e kompensimit.
Në fund të vitit të shkuar është publikuar në Gazetën Zyrtare ligji për kompensimin e operatorëve ekonomikë që janë prekur nga rritja e çmimeve.
Aty parashihet që deri në një masë të caktuar të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore dhe punëve përcjellëse në kontratat për punë të lidhura në mes të autoriteteve kontraktuese dhe operatorëve ekonomikë konform ligjit përkatës për prokurim publik të kompensohen nga shteti.