Arbëri

Nxit pakënaqësi një draftrregullore për mësimdhënësit në Podujevë

Sindikata e Arsimit në Komunën e Podujevës ka shprehur pakënaqësi me përmbajtjen e një draftrregulloreje për funksionimin e institucioneve edukative-arsimore. Ajo i kualifikon si tepër ndëshkuese për punonjësit e arsimit disa nga dispozitat e listuara në dokument, mes të cilave është edhe përjashtimi nga marrëdhënia e punës. Në Komunë thanë se do t’i marrin në konsideratë disa prej vërejtjeve që kanë dhënë shkollat e Sindikata

Sindikata e arsimit në Podujevë e konsideron ndëshkuese për punonjësit arsimorë draftin e një rregulloreje për funksionimin e institucioneve edukative-arsimore në këtë komunë.

Dokumenti që ndodhet në diskutim publik, sipas kreut të Sindikatës, obligon mësimdhënësit që t’i kompensojnë orët e humbura edhe në rastet kur janë të sëmurë dhe përmban numër të madh dispozitash ndëshkuese.

“Në shumë raste këtu ngrihen shumë përgjegjësitë dhe shtohen gjobat ndaj punonjësve arsimorë deri në përjashtim nga puna. Do të thotë, në këtë rregullore ka shumë gjoba për të gjithë punonjësit e arsimit, ndërsa në asnjë rast, në asnjë nen të vetëm prej 77 neneve sa janë nuk përmendet që punëtorët që punojnë shumë të stimulohen dhe të motivohen”, ka thënë Fadil Halimi, kryetar i Sindikatës së Arsimit në Podujevë..

Në shkolla e mirëpresin rregulloren, por kanë edhe disa vërejtje.

“Janë shumë punë që realisht bëhen nga ana e sekretarit të shkollës edhe nuk janë të përmendura në atë rregullore që janë obligim i sekretarit. Po ashtu te disa obligime të mësimdhënësve janë disa elemente që duhet të shtohen, në mënyrë që të rritet cilësia e punës edhe të përmirësohet kultura e punës nëpër shkolla, por njëkohësisht kjo ndikon direkt në rezultate më të mira për nxënësit”, është shprehur Liridon Mulliqi, drejtor i gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”.

E në Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë thanë se drafti është harmonizuar me të gjitha udhëzimet administrative që i përcaktojnë detyrat e fushëveprimtaritë në nivelin e arsimit të ulët dhe të mesëm.

“Një numër i madh i personave që ishin prezent aty në diskutim publik ishin drejtorë të shkollave, të cilët ballafaqohen çdo ditë me ato probleme. Ata kanë dhënë sugjerime, vërejtje dhe propozime mjaft të rëndësishme, të cilat do të inkorporohen në këtë rregullore e sidomos që e potencova edhe më parë te çështja e kujdestarive”, ka thënë drejtori Avni Fetahu.

Drafti i rregullores përmban edhe dispozita me masa ndëshkuese ndaj personelit shkollor, nga vërejtja me gojë deri te ndërprerja e përhershme e marrëdhënies së punës. Masa ndëshkuese janë paraparë edhe për nxënësit problematikë.