Arbëri

Nxënësit kërkojnë shpërblim për pjesëmarrje në testin PISA, ekspertët vetëdijesim

Disa nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë kanë shprehur si kërkesë që pjesëmarrja e tyre në testin ndërkombëtar të dijes, PISA, të përcillet me ndonjë shpërblim, si motivim për rezultate më të mira. Njohës të arsimit e sociologë theksojnë se pjesëmarrja nuk duhet të lidhet me kurrfarë shpërblimi, teksa e shtruan nevojën për vetëdijesim mbi përgjegjësinë që nxënësit e kanë dhe për rëndësinë e testit

Shpërblim me një notë, me certifikatë apo me mirënjohje kanë kërkuar disa nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë për pjesëmarrjen në testin ndërkombëtar të dijes, PISA.

Në këtë mënyrë ata argumentojnë se do të rriteshin motivimi, interesimi, si dhe përkushtimi i tyre për përgatitje dhe për rezultate më të mira në testin që rëndom i nxjerr 15-vjeçarët e Kosovës ndër më të fundit mes shteteve pjesëmarrëse.

“Ishim kanë më të motivuar edhe kishim ardhë me më shumë qejf nëse na kishin shpërblyer profesorët”, ka thënë një nxënëse që sivjet i është nënshtruar këtij testi.

“Nuk kam shumë emocione, është një test i zakonshëm. Po për pjesëmarrje, ish kanë ma mirë p.sh. me marrë mirënjohje që kemi marrë pjesë në testin PISA”, ka shtuar një tjetër nxënës.

Por këtë qëndrim të nxënësve njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, e sheh si mungesë të vetëdijesimit të tyre për rëndësinë e testit.

“Ata duhet ta kuptojnë se cili është roli i tyre në këtë test, çfarë arrin nga pjesëmarrja e tyre, kush është ndikimi që kjo ka në nivel të rangimit. Pra, një fushatë vetëdijesuese nga ana e MASHT-it në target këta nxënës është e domosdoshme. Mirëpo jo vetëdijesim si përgatitje dhe ndëshkim për mospjesëmarrje, por vetëdijesim si përgatitje që ata me të vërtetë ta kuptojnë përgjegjësinë që kanë karshi testit PISA”, ka thënë Qehaja.

Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe sociologu Vehbi Mujku, tek thotë se pjesëmarrja në testin PISA nuk duhet lidhur me shpërblime.

“Është gabim shumë i madh që të kushtëzohet pjesëmarrja në testin PISA, qoftë me certifikatë ose qoftë me një mirënjohje dhe kjo duhet të evitohet dhe punohet me këta fëmijë që fillimisht ata duhet të mësojnë dhe t’i shfaqin njohurit e veta sepse shpërblimi vjen pastaj”, ka thënë Mujku

Në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se është vërejtur mungesë e interesimit te disa nxënës për dhe gjatë testit PISA.

“Janë organizuar trajnime me koordinatorët e shkollave dhe ata komunalë, me qëllim që të informohen në mënyrë të detajuar për rëndësinë e testit, si dhe për mënyrën e zhvillimit të tij. Pjesa më e madhe e nxënësve janë angazhuar dhe i janë përkushtuar testit me seriozitet. Megjithatë, ka edhe raste kur nxënësit nuk kanë treguar interesim dhe nuk i kanë plotësuar të gjitha pyetjet”, ka thënë Fatmir Elezi, zyrtar i lartë për standarde dhe vlerësim në Ministri të Arsimit.

Në kuadër të testimit PISA, që mbahet çdo tre vjet dhe që organizohet nga Organizata për Bashkëpunim e Zhvillim Ekonomik, 15-vjeçarë nga 80 vende të botës vlerësohen për performancën në lëmenjtë e matematikës, shkencës dhe leximit.

Që nga pjesëmarrja për herë të parë më 2015, nxënësit nga Kosova janë ranguar në vazhdimësi në vendet e fundit.