Tekst i përditësuar - Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, e ka përfunduar intervistimin në stacionin policor të Skenderajt lidhur me rrahjen fizike të zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, gjatë ditës së djeshme në një kafene të qytetit.
Pas intervistimit, Lushtaku ka thënë se krejt kjo që ka ndodhur këto dy ditë është politike dhe se kryeministri në detyrë Albin Kurti po do të viktimizohet në prag të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPDK-ja dhe OVL e UÇK-së thërrasin qytetarët para Stacionit të Policisë ku pritet të intervistohet Lushtaku
Shefi i asamblistëve të PDK-së në Skenderaj Alban Berisha dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë ftuar qytetarët të mblidhen para Stacionit të Policisë, ku pritet të intervistohet kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku.
Lushtaku pritet të intervistohet lidhur me sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave Hysni Mehani, i cili është kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, si dhe aktivisti i kësaj partie, Bahri Zabeli, që ndodhi të enjten.
Mehani, Zabelli e Vetëvendosja, kanë thënë se sulmi është kryer nga kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, por Lushtaku përmes një postimi në Facebook, e ka mohuar se e ka kryer vetë sulmin.
Gjatë ditës nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se kryetari i kësaj komune Sami Lushtaku nuk ka pranuar ende ftesë zyrtare nga organet e drejtësisë për t’u përgjigjur lidhur me pretendimet se të enjten e ka sulmuar zëvendësministrin e Financave Hysni Mehani.
Nura në një konferencë për media ka thënë se Lushtaku është i gatshëm të deklarohet për rastin, derisa ka theksuar se ky i fundit nuk ka qenë i përfshirë direkt.
“Ftesë zyrtare deri tash nuk kemi si institucion. Jemi duke pritë, në momentin që e kemi sigurisht se Lushtaku do të përgjigjet. Nuk kemi pasur ftesë zyrtare. Rasti është marrë nga Prishtina dhe janë në procedurë të intervistimit një pjesë e dëshmitarëve pastaj kurdo që ka nevojë kam thënë më kontaktoni”, ka thënë Nura.
Nura ka shtuar se dy zyrtarët e arrestuar një ditë më parë për sulmin, nuk kanë qenë në vendngjarje.
“Sa i përket incidentit, Lushtaku nuk ka qenë i përfshirë në incident, por këtë do ta zbardhin organet përgjegjëse... Në këtë moment, dy zyrtarë që nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes janë të ndaluar nga dje pasdite. Ekzistojnë edhe dëshmi për këtë”, u shpreh ai.
Nura e ka quajtur “të panevojshme” praninë e Njësisë Speciale në Skenderaj mbrëmjen e së enjtes.
Lushtaku pas intervistimit: Krejt kjo është politike, Albin Kurti po do të viktimizohet
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, e ka përfunduar intervistimin në stacionin policor të Skenderajt lidhur me rrahjen fizike të zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, gjatë ditës së djeshme në një kafene të qytetit. Intervistimi zgjati më pak se një orë. Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë konfirmuar se rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
Pas intervistimit, ku u prit nga qytetarët të shumtë jashtë stacionit policor, Lushtaku ka thënë se krejt kjo që ka ndodhur këto dy ditë është politike dhe se kryeministri në detyrë Albin Kurti po do të viktimizohet në prag të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Krejt kjo që ka ndodh është politike. Albin Kurti do që përmes aksioneve të tilla të viktimizohet. Në kushte normale nuk do të isha intervistuar”, ka thënë ai.
Lushtaku tutje ka thënë se nuk e di se në çfarë cilësie është intervistuar dhe se pret “të lirohen prej kësaj që ka shpif Hysni Mehani”.
Tutje, ai pati kritika se pse u soll dje Njësia Speciale në Skenderaj.
“Është tepër e rëndë për qytetarët e Skenderajt, nuk e meritojnë as komunat e tjera që njësitë speciale me armë të gjata ta provokojnë qytetarin e këtij vendi që kanë dhënë shumë për Kosovën. Besoj që nuk duhet me shku kerku pa arsye e pa nevojë. Ata janë policë të Kosovës që i respektojmë shumë”, shtoi Lushtaku.
Deklarata e Lushtakut (VIDEO):
Lirohen dy të dyshuarit për sulmin ndaj Mehanit në Skenderaj
E.L. dhe B.N., të cilët u ndaluan për 48 orë gjatë ditës së djeshme, janë liruar të premten në procedurë të rregullt për sulmin fizik ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, në një kafene të Skenderajt.
Lajmi është konfirmuar për KosovaPressin nga zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.
Aktualisht, po intervistohet kryetari i Skenderaj, Sami Lushtaku, lidhur me këtë çështje.
Lushtaku mbërrin në Stacionin Policor, do të intervistohet për sulmin ndaj Mehanit
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka arritur në Stacionin Policor në Skenderaj ku do të intervistohet lidhur me lidhur me sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave Hysni Mehani, i cili është kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, si dhe aktivisti i kësaj partie, Bahri Zabeli, që ndodhi të enjten.
Ai është pritur me duartrokitje e brohoritje nga qytetarë të mbledhur para Stacionit të Policisë.
Lushtaku: Për dallim nga Kurti, unë i respektoj institucionet e Republikës
Kryetari i Skenderaj, Sami Lushtaku, ka thënë se për dallim nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ai i respekton institucionet e Republikës së Kosovës dhe u përgjigjet sa herë t’i kërkohet.
Në një shkrim në profilin e tij në Facebook, shoqëruar me një video teksa hyn në Stacion Policor për intervistm, Lushtaku ka thënë se ai i përgjigjet Republikës, kombit dhe Zotit.
“Unë i përgjigjem Republikës, kombit dhe Zotit. Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë. I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka. Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës”, ka shkruar ai.
Lushtaku bëri thirrje për qetësi me shpresë që Prokuroria nuk do instrumentalizohet.
“Bëj thirrje për qetësi dhe maturi ndërsa shpresoj që Prokuroria të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion!”, përfundon shkrimi i tij.
VIDEO:
Mehani: Lushtaku më sulmoi pas ankesave të mia për keqpërdorime milionëshe
Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj dhe njëherësh zëvendësministër i Financave, Hysni Mehani, ka deklaruar se sulmi fizik nga Sami Lushtaku gjatë ditës së djeshme ka ndodhur pas ankesave që, sipas tij, lidhen me keqpërdorime milionëshe.
Mehani e shpjegoi versionin e tij për ngjarjen në një intervistë për KTV-në.
“Jam kanë t’u bisedu në tavolinën time, dhe veç në moment të fundit e kam dëgjuar zotin Lushtaku që më ka thënë ‘m’ke thënë...’, nuk e ka përfundu fjalinë e më ka goditur me telefon e pastaj me mjete të forta të tjera. Ka filluar një sulm, fillimisht prej zotit Lushtaku, jam munduar të mbrohem dhe me karrige prej zotit Lushtaku dhe pastaj prej truprojave të tij”, ka deklaruar Mehani.
Ai ka pretenduar se sulmi ishte i organizuar dhe i ndërlidhur me një e-mail dhe dokumente që, sipas tij, flasin për “mbindërtim të kundërligjshëm” në vlerë prej mbi 13 milionë eurosh.
“Sulmi ka ndodhur për këtë e-mail dhe për këto dokumente që janë metra katrorë mbindërtim të kundërligjshëm që shkojnë diku mbi 13 milionë euro. Kam qenë në komunë ditën e djeshme në orën 08:15, nëse Lushtaku ka pasur punë me më sulmu, nuk ka të bëjë me atë. Kur ka ardh ky e-mail, pas ankesave në Agjencinë për Informim dhe Privatësi që flasin për keqpërdorim milionësh atëherë Lushtaku në orën 12:00, në mes të qytetit, më ka sulmuar”, është shprehur ai.
Sipas Mehanit, qëllimi i sulmit nuk ishte vetëm dhuna fizike, por edhe frikësimi publik.
“Qëllimi i zotit Lushtaku nuk ka qenë dhunë fizike, por dhunë për me i tregu edhe masës për nivelin e emancipimit për ata që guxojnë me kundërshtu atë”, ka deklaruar Mehani.
VIDEO:
OVL e UÇK-së thërret qytetarët të mblidhen para stacionit të Policisë ku pritet të intervistohet Lushtaku
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka ftuar të gjithë veteranët dhe qytetarët që siç thuhet, ndjejnë respekt për luftën çlirimtare, që të nisen drejt Skenderajt dhe të bashkohen pranë stacionit të Policisë, ku thuhet se pritet të intervistohet kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku.
“Sot më shumë se kurrë, kërkohet unitet, dinjitet dhe përkrahje për ata që i dolën zot Atdheut në ditët më të vështira të historisë sonë. Prania jonë është mesazh se lufta çlirimtare e UÇK-së ishte e drejtë dhe se luftëtarët e saj nuk do të jenë kurrë vetëm”, thuhet në thirrjen e tyre të postuar në Facebook. “Ftojmë të gjithë që pjesëmarrja të jetë e qetë, dinjitoze dhe në frymën e respektit qytetar, ashtu siç e meriton historia e luftës sonë çlirimtare”, thuhet tutje në thirrje.
Lushtaku pritet të intervistohet lidhur me sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave Hysni Mehani, i cili është kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, si dhe aktivisti i kësaj partie, Bahri Zabeli, që ndodhi të enjten.
Mehani, Zabelli e Vetëvendosja, kanë thënë se sulmi është kryer nga kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij.
Lushtaku përmes një postimi në Facebook, e ka mohuar se e ka kryer vetë sulmin.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, ka shkruar ai.
Shefi i asamblistëve të PDK-së thërret qytetarët para Stacionit të Policisë, thotë se do të intervistohet Lushtaku
Shefi i asamblistëve të PDK-së në Skenderaj Alban Berisha, ka ftuar qytetarët që të mblidhen të Stacioni i Policisë në Skenderaj, ku ka thënë se do të intervistohet kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku.
Ai në një status në Facebook, të postuar rreth orës 15:00 ka ftuar qytetarët siç ka shkruar të qëndrojnë të bashkuar dhe në gatishmëri qytetare.
“Brenda pak minutash pritet të zhvillohet intervista, prandaj ftoj sa më shumë qytetarë të mblidhemi për ta pritur Kryetarin Gjeneral Sami Lushtaku deri në përfundim të saj. Vendtakimi: para Stacionit të Policisë. Dje qytetarët panë me sytë e tyre keqpërdorimin e Njësisë Speciale, me maska e armë të gjata, në një mënyrë që krijoi tension dhe frikë te qytetarët. Këto veprime po e rikujtojnë kohën kur policia përdorej për presion politik e jo për drejtësi. Mos të mendojë askush se mund të na frikësojë me skena force e demonstrim pushteti. Dinjiteti nuk shitet dhe nuk blihet! Fyerjet, shpifjet dhe propaganda nuk kalojnë", ka shkruar Berisha.

Të enjten, në mes të ditës, 50 metra larg Komunës së Skenderajt, janë sulmuar fizikisht zëvendësministri i Financave Hysni Mehani, i cili është kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, si dhe aktivisti i kësaj partie, Bahri Zabeli.
Ata e edhe Vetëvendosja, kanë thënë se sulmi është kryer nga kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij.
Lushtaku është kryetar i Degës së Partisë Demokratike në Skenderaj, komunë të cilën e ka bastion kjo parti.
Ai, përmes një postimi në Facebook, e ka mohuar se e ka kryer vetë sulmin.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, ka shkruar ai.