Ministria e Arsimit dhe as Qeveria nuk kanë shprehur qëndrime, pasi në disa komuna është lëvizur orari i mësimit të nxënësve dhe ai i punës për gratë, për kohën sa zgjat Ramazani. Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë se ndryshimi i orareve përbën mosrespektim të duhur të dispozitave kushtetuese, ndërsa njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, numëron katër efekte që mund të prodhohen nga vendime të këtilla.
Veprimet që disa institucione kanë ndërmarrë për ta lëvizur orarin e mësimit të nxënësve gjatë Ramazanit, e edhe të punës, ka nxitur reagim të njohësve të Kushtetutës dhe atyre të arsimit.
Komuna e Prishtinës vendosi që mësimi të fillojë nga ora 07:30, të shkurtohet kohëzgjatja e mesndërrimit, si dhe të reduktohen pushimet e gjata. Ndërsa, ajo e Fushë-Kosovës u përcaktua t’i lirojë gratë që agjërojnë, një orë para se të përfundojë orari i rregullt i punës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMazllum Baraliu i cilëson antikushtetuese vendimet e kësaj natyre.
“Standardet e punës dhe organizimi i punës i një sistemi laik është i koncentruar, dhe funksionon ashtu siç ka funksionuar deri dje, do të duhet të vazhdojë të funksionojë edhe nga dje e tutje... Mendoj që nuk ka pasur nevojë dhe nuk është dashur, është thjesht mosrespektim i duhur i dispozitave kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Baraliu.
E njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se përtej çështjeve kushtetuese, ndryshimi i orarit shtron edhe pyetje të tjera.
“Ky vendim ndikon te njerëzit, te pjesëtarët të cilët nuk agjërojnë. A i ka pyet dikush ata? E dyta, kjo tash ndikon, bën presion te komunat tjera. E treta, është problemi i kushtetutshmërisë, i laicitetit të shkollës. E katërta, nëse e sjell një vendim për një ndryshim orari për një muaj kjo një far mënyre mund të përzihet edhe te kalendari shkollor”, ka deklaruar Rexhaj.
Pyetjeve që lidhen me lëvizjen e orarit nuk u kanë dhënë përgjigje zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe as ata të Qeverisë.
E, eksperti Rrexhaj ka thënë se çdo ndrydhje e orarit ndikon në cilësinë e mësimdhënies.
“Unë mendoj se problemi qëndron te shkollat e mesme se atje unë nuk besoj që atje kryhet mësimi në 5:45. Unë besoj që natyrshëm do të duhej të ishte që atje të zgjasë mësimi më shumë. Prandaj konsideroj që për shembull pse nuk kanë mendu që 4 të shtune të mbahen ato një orë ose dy orë të fundit”, ka thënë ai.
Neni 8 i Kushtetutës përcakton Kosovën shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare.