Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, që është kryer një vit më parë. Ndër veprat penale për të cilat akuzohen, është edhe rrezikimi i rendit kushtetues, nëpërmjet veprave terroriste e spiunazhit. Një nga të akuzuarit është pjesëtar i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Serbisë, VBA
Një toger i inteligjencës ushtarake serbe është në mesin e tre personave ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur të martën, aktakuzë për sulmin me rreth 20 kilogramë eksplozivë të kryer një vit më parë në kanalin e Ibër-Lepencit.
Aktakuza përfshin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, që akuzohen për “Rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, dhe për terrorizëm. Ata dhe Igor Dimiqi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas njoftimit të Prokurorisë, dy vëllezërit Viqentijeviq akuzohen se e realizuan sulmin mbi infrastrukturën kritike në fshatin Varagë, që ndodhet në veriun e banuar kryesisht me serbë.
“J.V. dhe D.V. akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, ‘Ibër Lepenc’, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes ‘Ibër Lepenc’, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës, Jovan Viqentijeviqi është edhe toger në Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake të Serbisë – VBA dhe akuzohet për spiunazh.
“I pandehuri J.V., akuzohet edhe për veprën penale ‘Spiunazhi’. Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Toger, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Aktakuzën për sulmin terrorist e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu.
Sulmi në kanalin e Ibër Lepencit, shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë të pijes në shumë komuna, meqë nëpërmjet tij shpërndahet uji prej liqenit të Ujmanit deri te dy rajone: Ai i Mitrovicës dhe i Prishtinës.
Autoritetet intervenuan menjëherë, me qëllimin për ta evituar dëmin në Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila nëpërmjet këtij kanali siguron ujin për ftohje.
Sulmi terrorist në Varagë të Poshtme të Zubin Potokut është i dyti i përmasave të mëdha, pas atij në Banjskë më 24 shtator 2023.
Për të dyja sulmet, institucionet e Kosovës e kanë bërë përgjegjëse Serbinë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati premtuar në disa raste se autoritetet e shtetit që udhëheq do të bashkëpunojnë për çështjen edhe me Policinë e Kosovës, por Beogradi zyrtar nuk u është përgjigjur deri tash kërkesave të Prokurorisë Speciale për bashkëpunim në hetim.