Arbëri

Një muaj paraburgim serbëve që dyshohen se dogjën për së gjalli shqiptarë

Gjykata Themelore në Prishtinë të shtunën u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji pesë serbëve nga rajoni i Gjilanit të cilët dyshohet se 25 vjet më parë kryen krime lufte ndaj shqiptarëve, përfshirë djegien e civilëve për së gjalli.

Pesë serbët e arrestuar janë Dragan Cvetkoviç, Dragan Niçiq, Millosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq dhe Slobodan Jevtiq.

Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se, po të liheshin për t’u mbrojtur në liri, mund të iknin në Serbi.

“Ekziston rreziku potencial se të pandehurit e lartcekur po të jenë në liri do të arratisen për shkak se të njëjtit kanë shtetësi dhe vendbanim edhe në Serbi. Të pandehurit posedojnë pasaportë të Republikës së Kosovës e po ashtu edhe pasaportë të Republikës së Serbisë, fakt ky që ua mundëson lëvizje në çdo vend të botës ngase këto pasaporta nuk i nënshtrohen regjimit të vizave”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Bazuar në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KOHA, krimet i kanë kryer edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe.

“Më datë 05/04/1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare”, thuhet në dosje.

Familjari i të dyshuarit Dragan Niçiq i ka mohuar akuzat. Dy nga avokatët e të dyshuarve kritikuan vendimin e gjykatës, dhe thanë se klientët e tyre duhet të mbrohen në liri.

Por, Prokuroria e ka argumentuar të kundërtën në kërkesën adresuar Gjykatës. Sipas organit të akuzës, të pandehurit kanë edhe vendbanim në Serbi. Në dosjen e prokurorisë theksohet se Serbia në asnjë mënyrë nuk bashkëpunon me Republikën e Kosovës sa i përket Krimeve të Luftës, e për pasojë nëse të pandehurit do të shkonin në këtë shtet, organet e drejtësisë së Kosovës do ta kenë të pamundur ta sigurojnë prezencën e tyre për tu përballur me procedura gjyqësore.

Për arrestimet kanë reaguar në Beograd. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konsideruar si provokim të qëllimshëm arrestimin e serbëve.