Arbëri

Nissinen: Ngërçi i zgjatur e pengon progresin në disa fusha, nevojitet vullnet politik

“Edhe pse sfidat institucionale nuk janë të pazakonta, një ngërç i zgjatur mund ta pengojë progresin në disa fusha kyçe. Rikthimi i funksionalitetit të institucioneve gjithashtu ndihmon në ruajtjen e besimit të publikut. Politikanët njihen për aftësinë e tyre për të arritur kompromis, ndaj unë kam besim në aftësitë e tyre. Së pari dhe mbi të gjitha, nevojitet vullnet politik”, ka thënë ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen në një intervistë lamtumirëse për KOHËN

Ngërçi politik pas zgjedhjeve të fundit ka krijuar atmosferë pasigurie jo vetëm për funksionimin e institucioneve, por edhe për proceset e mëdha politike që kanë mbetur pezull, ka thënë ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen, në një intervistë për KOHËN. Në një situatë ku Kuvendi ende nuk është konstituuar dhe qeveria e re nuk i ka marrë detyrat, sipas tij, pasojat shtrihen edhe në fushën e politikës së jashtme, përkatësisht në raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian (BE).

Ambasadori, në intervistën lamtumirëse, vlerëson se gjendja e krijuar ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e institucioneve për t’i adresuar sfidat e brendshme dhe të jashtme, duke i përfshirë edhe tensionet në veriun e banuar kryesisht me serbë. Ai thekson se situata në këtë pjesë kërkon një qasje të kujdesshme dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

“Për t’i shmangur problemet dhe keqkuptimet, zakonisht është një ide e mirë të ndërmerren hapa me transparencë, proporcionalitet dhe në konsultim me aktorët relevantë,” ka theksuar ai.

Duke folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Nissinen e ka nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të procesit, pavarësisht sfidave politike. Sipas tij, bisedimet nuk duhet të shihen thjesht si obligim ndërkombëtar, por si një mekanizëm i domosdoshëm për ta garantuar stabilitetin rajonal dhe për ta hapur rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

“Nevojitet një qasje e orientuar drejt rezultateve. Afatet e qarta dhe mekanizmat më të fortë të llogaridhënies mund të ndihmojnë gjithashtu”, është shprehur ai.

Ambasadori finlandez, i cili këtë muaj e përfundon mandatin në Kosovë, ka folur edhe për marrëdhëniet dypalëshe, duke theksuar se ato kanë potencial të madh, por realizimi i tyre varet nga konsolidimi i brendshëm politik dhe funksionimi i institucioneve.

Bashkëpunimi dypalësh

KOHA: Ndërsa mandati juaj në Kosovë po përfundon, si do ta përshkruanit përvojën tuaj si ambasador i Finlandës këtu?

Nissinen: Të shërbej si ambasador i Finlandës në Kosovë ka qenë një nder i madh dhe një përvojë thellësisht e dobishme. Gjatë tri vjetëve të fundit e kam pasur privilegjin ta shoh nga afër zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, energjinë e saj të gjallë dhe aspiratat e qarta ndërkombëtare. Do t’i ruaj gjithmonë kujtimet nga organizimi i takimeve të shumta – qoftë me të rinjtë liderë, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, aktivistët e shoqërisë civile apo gazetarët – dhe nga bashkëbisedimet e drejtpërdrejta me studentët në universitete dhe kolegje të ndryshme. Këto momente, të kombinuara me mikpritjen kosovare, e kanë bërë kohën time këtu vërtet të paharrueshme.

KOHA: Cilat i konsideroni arritjet kryesore gjatë mandatit tuaj në forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Finlandë?

Nissinen: Një nga arritjet kryesore ka qenë thellimi i bashkëpunimit tonë dypalësh në disa sektorë, me synimin për të krijuar një marrëdhënie gjithëpërfshirëse midis dy shteteve të barabarta. Në sektorë si arsimi, teknologjia dhe fuqizimi i të rinjve kemi arritur rezultate të shkëlqyeshme së bashku.
Jam veçanërisht krenar për përpjekjet tona të përbashkëta në promovimin e marrëdhënieve tregtare mes vendeve tona. Gjatë mandatit tim kemi themeluar Dhomën Nordike të Tregtisë në Kosovë. E ardhmja e dhomës duket shumë premtuese dhe kjo është një arritje e veçantë për mua. Gjatë këtyre tri vjetëve, numri i kompanive finlandeze që e vizitojnë Kosovën për të kërkuar mundësi të përbashkëta është rritur vazhdimisht, duke hapur dyer të reja për bashkëpunim.
Vizitat e shumta të nivelit të lartë, si vizita e ministres së Jashtme Elina Valtonen në Prishtinë si dhe vizita e fundit e presidentes Vjosa Osmani në Finlandë, i kanë forcuar më tej lidhjet tona politike dhe tregtare.
Jam po ashtu krenar që kam mundur t’i sjell në Kosovë inovatorët më të mëdhenj dhe sipërmarrësit kryesorë nga Finlanda, të cilët i kanë frymëzuar të rinjtë kosovarë me historitë dhe ekspertizën e tyre. Diaspora kosovare në Finlandë, me anëtarët e saj të talentuar dhe aktivë, ka luajtur një rol të madh në mbështetjen e kësaj pune. E kombinuar me iniciativat vendore, si vizitat në Pejë apo Gjilan për t’u takuar me sipërmarrësit lokalë, kjo i ka forcuar marrëdhëniet tona në mënyrë reale dhe afatgjatë.
Dhe së fundi, do të doja të theksoja edhe një dimension tjetër të rëndësishëm të bashkëpunimit Finlandë-Kosovë: të drejtat e njeriut dhe mbështetja sociale. Një shembull i mirë është puna e Fondacionit Deaconess, i cili ka qenë aktiv në Kosovë për një kohë të gjatë përmes partneriteteve të forta lokale. Përpjekjet e tyre kanë hapur rrugë për arsim, punësim dhe shërbime esenciale, duke ndihmuar në ndërtimin e qëndrueshmërisë së komunitetit më afat të gjatë.

KOHA: Në cilët sektorë specifikë e keni parë rritjen më të madhe ose thellimin e bashkëpunimit dypalësh mes Finlandës dhe Kosovës vitet e fundit?

Nissinen: Arsimi dhe teknologjia dallohen si fushat me përmirësimet më të mëdha. Ekspertiza e Finlandës në arsim është pritur shumë mirë këtu në Kosovë dhe kemi parë që kanë dalë partneritete të vlefshme. Gjithashtu, interesi ynë i përbashkët për transformimin digjital dhe teknologjitë e gjelbra ka hapur mundësi të reja për bashkëpunim, veçanërisht mes të rinjve profesionistë dhe kompanive startup.

KOHA: Cilat janë disa nga iniciativat ose projektet e përbashkëta që dallohen si shembuj të bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve?

Nissinen: Më vijnë ndër mend disa iniciativa, përfshirë programet për ndërtimin e kapaciteteve në administratën publike, mbështetjen për ta luftuar dezinformimin dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe përpjekjet e shumta për fuqizimin e të rinjve në Kosovë. Jam i bindur se këto projekte do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Kosovës i duhet rikthimi i funksionalitetit institucional

KOHA: Kosova po përballet aktualisht me një ngërç politik në formimin e institucioneve të reja. Nga perspektiva juaj, sa shqetësuese është kjo situatë?

Nissinen: Do të doja që formimi i institucioneve të reja të ndodhte sa më shpejt. Stabiliteti dhe parashikueshmëria politike janë thelbësore për zhvillimin e çdo vendi. Edhe pse sfidat institucionale nuk janë të pazakonta, një ngërç i zgjatur mund ta pengojë progresin në disa fusha kyçe. Rikthimi i funksionalitetit të institucioneve gjithashtu ndihmon në ruajtjen e besimit të publikut. Politikanët njihen për aftësinë e tyre për të arritur kompromis, ndaj unë kam besim në aftësitë e tyre. Së pari dhe mbi të gjitha, nevojitet vullnet politik.

KOHA: Në çfarë mënyrë bllokada institucionale mund të ndikojë në zhvillimin e Kosovës dhe në synimet e saj drejt integrimeve euroatlantike?

Nissinen: Kjo është pa dyshim një nga çështjet kryesore shqetësuese. Vonesat e gjata në formimin e institucioneve të reja mund t’i bllokojnë reformat e nevojshme, ta ngadalësojnë zbatimin e angazhimeve të Kosovës në kuadër të agjendës evropiane dhe të krijojnë pasiguri si për qytetarët, ashtu edhe për investitorët. Në kontekstin e integrimit euroatlantik, momentumi është një aset — një herë i humbur, është e vështirë të rifitohet. Një qeveri stabile dhe efektive është thelbësore për t’i avancuar prioritetet strategjike dhe për t’i realizuar reformat. Nga përvoja ime, ndërtimi i institucioneve në kohë është gjithashtu një sinjal i fuqishëm i maturisë politike dhe i besueshmërisë për komunitetin ndërkombëtar.

KOHA: Duke e pasur parasysh mbështetjen e Finlandës për anëtarësimin e Kosovës në BE, a shihni rrezik që vendi të mbetet prapa në përmbushjen e obligimeve në kuadër të marrëdhënies së saj kontraktuale me Bashkimin Evropian?

Nissinen: Kosova ka treguar përkushtim të fortë ndaj rrugës evropiane, dhe me mbështetje të vazhdueshme nga vendet anëtare të BE-së besoj se këto sfida mund të tejkalohen. Natyrisht, “puna e rëndë” – që do të thotë reformat shoqërore dhe obligimet e tjera – nuk mund të kryhet nga askush tjetër përveç Kosovës vetë.
Në përgjithësi, jam shumë pozitiv për të ardhmen e Kosovës në organizatat euroatlantike, përfshirë BE-në dhe NATO-n, dhe Finlanda do të mbetet mbështetësi më i madh i këtyre aspiratave.

Duhen rezultate konkrete në dialog

KOHA: Dialogu Kosovë-Serbi ka parë progres të kufizuar vitet e fundit. Sipas jush, cilat janë arsyet kryesore të vonesave në zbatimin e marrëveshjeve?

Nissinen: BE-ja mbetet e përkushtuar në lehtësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Por në fund të fundit u takon palëve të arrijnë marrëveshje. Mendoj se vonesat burojnë nga një kombinim faktorësh politikë dhe madje nga interpretime të ndryshme të marrëveshjeve. Një përparim në dialog kërkon vullnet të fortë politik si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, dhe komuniteti ndërkombëtar mbetet i përkushtuar për t’i lehtësuar këto përpjekje. Në të njëjtën kohë, duhet ta pranojmë se kanë kaluar shumë vite dhe tani nevojiten rezultate konkrete.

KOHA: Çfarë duhet të ndryshojë në qasjen e të dyja palëve dhe ndoshta edhe të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për të siguruar përmbushje më të mirë të angazhimeve nga dialogu?

Nissinen: Vullneti i vërtetë politik për të rënë dakord është elementi kyç. Kam mësuar se në negociatat diplomatike është më mirë të ulesh në tryezën e bisedimeve me zgjidhje të propozuara, jo me akuza dhe probleme. Nevojitet një qasje e orientuar drejt rezultateve. Afatet e qarta dhe mekanizmat më të fortë të llogaridhënies mund të ndihmojnë gjithashtu.
Kam besim të plotë te lehtësuesi i BE-së dhe Finlanda do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për dialog në çdo mënyrë të mundshme.

KOHA: Sa serioze janë rreziqet e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri, për shkak të raporteve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë?

Nissinen: Situata në veri mbetet e brishtë. Edhe pse janë bërë përpjekje për ta stabilizuar rajonin, tensionet dhe incidentet e tregojnë nevojën për dialog të qëndrueshëm dhe diplomaci parandaluese. Njerëzit në atë rajon e meritojnë mundësinë të jetojnë në paqe dhe të kenë perspektiva reale, duke përfshirë arsim, kujdes shëndetësor dhe mundësi punësimi.

KOHA: Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë disa veprime në veri, duke thënë se ato janë hapa drejt vendosjes së rendit dhe ligjit. Si perceptohen këto veprime nga perspektiva juaj diplomatike?

Nissinen: Në diplomaci një nga rregullat e arta është të mos japësh këshilla publike për qeverinë pritëse. Në terma të përgjithshëm, mund të them se nga perspektiva e vendit tim sundimi i ligjit është thelbësor. Megjithatë, për t’i shmangur problemet dhe keqkuptimet, zakonisht është  ide e mirë të ndërmerren hapa me transparencë, proporcionalitet dhe në konsultim me aktorët relevantë. Të gjithë duhet të ndihen të përfshirë dhe të kenë mundësi të kontribuojnë në shoqëri.

KOHA: Këto veprime potencialisht a e stabilizojnë situatën apo e përshkallëzojnë atë?

Nissinen: Nuk mendoj se është në interesin e dikujt të shohim veprime që mund të çojnë në rritje të tensioneve. Dialogu dhe qeverisja gjithëpërfshirëse mbeten kyçe për stabilitetin afatgjatë, dhe kjo është ajo që duhet të dëshmojmë.
Zgjedhjet lokale në tetor u japin njerëzve një mundësi tjetër për ta shprehur mendimin e tyre dhe për t’i shfrytëzuar mjetet demokratike për të ndikuar. Shpresoj që pjesëmarrja në votime të jetë e lartë.

KOHA: Si e shihni roli e BE-së dhe vendeve të saj anëtare, përfshirë Finlandën, në mbështetjen e normalizimit afatgjatë dhe paqes së qëndrueshme në rajon?

Nissinen: BE-ja dhe vendet e saj anëtare janë të përkushtuara ndaj rajonit. BE-ja ka rol jetik në lehtësimin e dialogut, mbështetjen e reformave dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal.
Si një vend anëtar i BE-së, Finlanda mbetet e përkushtuar për reformat dhe zhvillimin demokratik në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për këtë, me synimin për t’i mirëpritur vendet e rajonit në BE, NATO dhe organizata të tjera sa më shpejt që të jetë e mundur. Vizionin tim për Kosovën dhe të gjithë rajonin e shoh shumë pozitiv.