Shqyrtimi i programit për reformat në ekonomi, që rezulton me 20 reforma strukturore dhe të cilat mund përshpejtojnë trendin e rritjes ekonomike, Shqyrtimi i nismës për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë për Furnizim me ujë për Komunën e Ferizajt, një investim mbi 5 milionë euro në këtë fushë, dhe Nisma për negocimin e grantit me Bankën Gjermane për Zhvillim për përmirësimin e Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës, që nënkupton investim prej 10 milionë eurosh dhe ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, janë vetëm disa nga vendimet që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë sot, transmeton Koha.net.
Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë për krijimin e Task-forcës të udhëhequr nga kjo ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë akterët që të ndërmarrin masat në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit.
Nga ana tjetër është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Marrëveshja rregullon mbështetjen e projektit “Heras – Arsimi i lartë, hulumtimi dhe shkenca të aplikuara në Kosovë”.
Në mbledhje, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Administratës Publike. Rregullorja përcakton strukturën, organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Ministrisë së Administratës Publike dhe organeve në mbikëqyrje të kësaj ministrie. Rregullorja fuzionon Departamentin e Reformës se Administratës Publike me Departamentin e Koordinimit të Politikave dhe Integrimit Evropian në një departament.
Me vendimin e miratuar sot në mbledhje, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin për hartimin e Projektligjit për financimin e subjekteve politike.
Edhe
Për përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës 8.8 milionë euro dhe 25 milionë dollarë
Në mbledhjen e sotme është aprovuar Koncept-dokumenti për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore. Koncept dokumenti ka për qëllim të caktojë qartë të drejtën pronësore, titullarët dhe përmbajtjen e tyre si dhe rregullimin e kësaj të drejtë në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian
Ka marr miratimin nga Qeveria edhe Koncept-dokumenti për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore.
Vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë për themelimin e Këshillit Nacional për siguri dhe shëndetin në punë, është miratuar në mbledhjen e sotme. Vendimi plotëson vendet e zbrazëta nga zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Qeveria ka emëruar Burim Rrecin në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për mandat tre vjeçar.
Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, ministri i Financave është i autorizuar që të aprovojë transfere nga nënprogrami “Shpenzimet e paparashikuara” në nënprograme tjera për shumat individuale të kërkuara deri në vlerën 40 mijë euro, në ndarjet buxhetore për vitin 2018.
Edhe
Qeveria mbajti mbledhje sonte, mori disa vendime
Kryeministri ka informuar kabinetin qeveritar me gjendjen e vështirë në Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe nevojën e një koordinimi ndërinstitucional për tejkalimin e gjendjes në këtë institucion të rëndësishëm të Republikës së Kosovës.
Kryeministri ka kërkuar gjithashtu nga kabineti qeveritar që të shqyrtohet edhe kërkesa për gjetjen e zgjidhjes së kërkesës së klubit të “Prishtinës” për një hapësirë ku mund të ushtrojë veprimtarinë e vet sportive.