Arbëri

Nis zbatimi i vendimit që lejon targat RKS në territorin e Serbisë, ato serbe në Kosovë mbulohen

Me deklaratën mohuese në hyrje të pikëkalimeve kufitare se lejimi i targave RKS në territorin e Serbisë nuk nënkupton edhe njohjen e shtetit të Kosovës, të hënën ka nisur zbatimi i vendimit që mundëson lirinë e lëvizjes për të gjitha automjetet nga Kosova. Këtë të drejtë e shfrytëzuan qytetarë të paktë që përdorën pikëkalimin kufitar në Merdar

Të hënën ka nisur zbatimi i vendimit që mundëson lirinë e lëvizjes për të gjitha automjetet nga Kosova që shkojnë në drejtim të Serbisë, pa obligimin që mbishkrimi RKS të mbulohet me letër ngjitëse. Këtë të drejtë e shfrytëzuan udhëtarë të paktë që më 1 janar kaluan përmes pikëkalimit kufitar në Merdar.

Në mesin e tyre ishte edhe ky qytetar nga Graçanica, që tha se kjo e zvogëlon pritjen në kufi.

“Kjo është super. Shpesh kanë qenë kolonat e gjata për të kaluar”, tha ai.

Te Policia Kufitare e Serbisë, që ndodhet pak metra tutje në të njëjtën çati me atë të Kosovës, është vendosur tabela me deklaratën mohuese në gjuhën serbe dhe angleze. Aty shkruan se lejimi i kalimit të veturave me targa RKS nuk e paragjykon statusin final të Kosovës, e as nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për ta devijuar rezolutën 1244.

Në ditën e parë të vitit 2024 pati edhe qytetarë të cilët nga territori i Serbisë hynë në Kosovë me targa RKS dhe me simbole të zbuluara.

“Sot në mëngjes jom kan në Serbi, tash u ktheva. Mire shumë, përpara u kanë problem. Shpesh po duhet me udhetu, kjo është mirë për neve”, tha qytetari Lulzim Kadriu.

“Pa stikers. Ma lehtë tash, ka ba vaki me tu qkoq rrugës (letërngjitësi) edhe t’kanë dënu Policia, kështu që ma mirë veç me targa””, tha një qytetar tjetër.

E për ata që kanë vetura me targa të Serbisë, vazhdoi edhe të hënën të vlejë masa për vendosjen e letër-ngjitëseve.

“Edhe sot na u desh t’i vendosim. Por shpresojmë do të bëhet mirë gjithçka”, theksoi një qytetar serb.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar se do të marrë vendim për t’i lejuar targat e Serbisë, pasi të sigurohet se fqinji verior po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat RKS të qarkullojnë lirshëm në Serbi.

Mbulimi i simboleve të Serbisë, përkatësisht të Kosovës, me letër-ngjitëse ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më 30 shtator 2021, nën ndërmjetësimin e Brukselit.