Qentë endacakë dhe pa përkujdesje, do të vazhdojnë të bredhin rrugëve dhe hapësirave të ndryshme publike për së paku edhe një vit, duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve. Kjo pasi implementimi i projektit, në fazën emergjente për vitin 2018, ka paraparë vetëm trajtimin mjekësor të qenve endacakë.
Lamir Thaçi, nga Agjencia e Veterinës së Kosovës, tha për Radio Kosovën se për vitin 2018, Qeveria e Kosovës i ka ndarë 1 milion e 300 mijë euro, të cilat nuk mjaftojnë edhe për strehimin e qenve.
Thaçi tha se trajtimi i qenve ka filluar, derisa AUV tashmë është duke kontraktuar numër më të madh të veterinerëve në terren.
“Duhet bërë trajtimin e qenve duke filluar nga mjekimi, vaksinimi, pastrimi, deratizimi, sterilizimi dhe procedurat e tjera që janë profesionale e që duhet ndjekur për të trajtuar një kafshë endacake”, tha Thaçi.
Kurse, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, tha për Radio Kosovën se komuna këtë vit i ka ndarë 100 mijë euro për trajtimin e qenve, por nëse qentë do të largohen nga rrugët, Tahiri tha se komuna nuk mund t’i zhdukë ata.
“Ne nuk mund t’i zhdukim qentë, ne i trajtojmë qentë përmes vaksinimit, sterilizimit dhe ngjashëm, siç e dini qentë vërehen në rrugë ata që janë të trajtuar për shkak të shenjës që e kanë në veshin e tyre. Nuk mund të pretendojmë që një ditë nuk do të ketë asnjë qen në rrugët e Prishtinës, kjo është absurde”, tha Tahiri.
Madje, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës pretendon se qentë në kryeqytet po sillen qëllimshëm nga komunat e tjera.
Edhe
Rreziku nga qentë endacakë – mbi 15 sulme në muaj vetëm në Prishtinë
“Pothuajse për çdo ditë, pasi që ne po i trajtojmë qentë endacakë, ka qen që po vijnë nga komuna tjera, që barten me transport të organizuar dhe lëshohen në Prishtinë me ç’rast po na shkaktojnë edhe neve probleme”, shtoi Tahiri.
Strategjia për trajtimin e qenve endacakë e hartuar nga Qeveria e Kosovës, gjatë vitit 2018 ka paraparë fazën emergjentë, gjatë të cilës do t’i trajtojë të gjithë qentë, duke i vaksinuar, mjekuar e sterilizuar, dhe në raste kur qentë e caktuar paraqesin rrezik për rrethin do t’i vënë në gjumë të përhershëm.
Ndërsa, gjatë viteve të ardhshme, varësisht se si vendosin institucionet shtetërore, pritet të ndërtohen edhe strehimore për qentë endacakë.