Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Prishtinës kërkon ndihmën e institucioneve qendrore për qentë endacakë

Drejtori për siguri dhe emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka kërkuar ndihmën e institucioneve qendrore për trajtimin e problemit me qentë endacakë në kryeqytet në kohën kur temperaturat kanë filluar të bien.

Fushtica ka theksuar se në baza ditore po trajtojnë qentë endacakë, por shton se legjislacioni në fuqi i kufizon për veprime të tjera.

“Komente dhe ankesa marrim në baza ditore për këtë çështje dhe i inkurajojmë qytetarët të vazhdojnë të na lajmërojnë. Ky është problem kompleks dhe institucionet e kryeqytetit nuk mund ta zgjidhin të vetëm. Tre kompani punojnë për projektin e vaksinimit, sterilizimit dhe lëshimit. Ne i zbatojmë ligjet e Qeverisë qendrore. Sipas ligjit, ne vetëm duhet t’i trajtojmë qentë dhe pas pesë dite t’i lëshojmë. Jemi duke marrë masa të shumta për kontrollin dhe zvogëlimin e qenve endacakë në rrugë. Masat janë konforn legjislacionit në fuqi dhe udhëzimit administrativ të Qeverisë qendrore. S’kemi marrë asnjë ndihmë nga institucionet qendrore, ani pse kemi kërkuar”, ka thënë ai në emisionin “038” të KTV-së.

Fushtica ka thënë se si Komunë nuk kanë të drejtë të licencojnë strehimore. Sipas tij, është vetëm një strehimore e licencuar me të cilën kanë lidhur kontratë.

Qendra e ndërtuar në Hajvali, sipas Fushticës, është vetëm për trajtimin e qenve endacakë dhe jo për strehimin e tyre.

“Jemi të obliguar t’i lëshojmë. Numri i qenve endacakë po rritet për shkak se po vijnë nga pjesë të tjera dhe qentë lëshohen”, ka thënë ai.

Fushtica ka shtuar se trajtojnë 20 deri në 30 qen endacakë në ditë.

Edhe Rreziku nga qentë endacakë – mbi 15 sulme në muaj vetëm në Prishtinë Arbëri Rreziku nga qentë endacakë – mbi 15 sulme në muaj vetëm në Prishtinë

Mbi 2 milionë euro, siç ka thënë drejtori Fushtica, vetëm këtë vit janë harxhuar për trajtimin e problemit të qenve endacakë. 

"2 milionë i kemi nda veç këtë vit për qentë endacakë, ndërsa Qeveria i ka nda 7 milionë euro për krejt komunat", ka thënë ai. 

“Hapja e strehimoreve të reja, adoptimi dhe ndihma nga institucionet qendrore është zgjidhja për problemin e qenve endacakë. Ky problem kërkon qasje multidimensionale dhe multistrukturale”, ka thënë Fushtica.