Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se kanë proceduar në llogaritë e konsumatorëve pagesat e subvencionit për faturën e muajit shtator të energjisë elektrike, për të gjithë ata që kanë kursyer, sipas kushteve të masës mbështetëse.
Ai ka njoftuar se nga kjo masë kanë përfituar 167 mijë e 571 konsumatorë.
“Për muajin shtator, kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike”, ka shkruar Murati në Facebook.
Sipas Murtait të gjithë përfituesit, vlerën e subvencionit mund ta shohin të reflektuar edhe në llogarinë online me furnizuesin.
Ai ka treguar edhe për kriteret që duhet plotësuar për përfitim.
Edhe
Subvencionim për mbi 180 mijë familje që kursyen energji elektrike gjatë nëntorit
“Secili konsumator aktiv, fatura mbi 5 euro, që ka kursyer sasinë e kWh me së paku 5% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, përfiton subvencionim të faturës aq sa dyfishi i përqindjes së kursimit. Maksimumi i subvencionit për një muaj, është vlera e faturës së muajit përkatës, apo tavani 50 euro, cilado të jetë më e ulët. Nëse në shtator 2021 keni shpenzuar 1,000 kWh, ndërsa në shtator 2022 keni shpenzuar 800 kWh, i bie që keni kursyer 20% të energjisë elektrike”, ka shkruar Murati.
Sipas tij subvencioni llogaritet duke dyfishuar përqindjen e kursimit. “Pra 2x20%=40%, dhe aplikohet ne vlerën e faturës së muajit aktual. Pra nëse fatura e shtatorit është 40 euro, për shkak se keni kursyer, ju përfitoni subvencion 40% x 40 euro, apo 16 euro”, ka shkruar Murati.