Nga e premtja e javës së kaluar, kur është hapur platforma për aplikim për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e cenueshme, kanë aplikuar 16 mijë familje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka inkurajuar qytetarët që i plotësojnë kriteret, që të aplikojnë dhe ka njoftuar se këtë mund ta bëjnë deri në fund të shtatorit.
“Mbi 16 mijë familje kanë aplikuar deri më tani për subvencionim të faturave të energjisë elektrike. Aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator, dhe mund të bëhet online në formularin: Inkurajohen të aplikojnë të gjitha familjet që kanë të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar”, ka shkruar Murati në Facebook.
Në veçanti, Murati ka thënë se inkurajohen që të aplikojnë familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara, që janë prindër vetushqyes, apo që janë pensionistë që jetojnë vetëm e pa përkujdesje.
Sipas një njoftimi të javës së kaluar që Murati e ka postuar në Facebook, janë disa kategori të qytetarëve që mund të përfitojnë nga ky subvencionim.
“Të gjitha familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro/muaj/anëtar, kualifikohen për të aplikuar për subvencionim. Pra nëse një familje ka 4 anëtarë dhe ka të ardhurat mujore më pak se 600 euro/muaj, mund të aplikojë për subvencion. Nëse familja ka 5 anëtarë duhet të ketë të ardhura më pak se 750 euro/muaj për t’u kualifikuar, e kështu me radhë”, pati shkruar Murati në Facebook.