Arbëri

Vetëm familjet e cenueshme do të subvencionohen për energjinë elektrike

Familjet që kanë të ardhura mujore më pak se 100 euro për anëtar, do të mund të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë. Bazuar në draftin e programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, shuma totale e subvencionimit për gjithë periudhën e dimrit nuk mund të tejkalojë vlerën prej 600 eurosh. Njohës të ekonomisë thonë se kjo shumë është e pamjaftueshme.

Qeveria ka planifikuar që gjatë sezonit të dimrit, vetëm familjet që kanë të ardhura më pak se 100 euro në muaj për anëtar, t’i subvencionojë për energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.

Sipas draftit të programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë, shuma totale e subvencionimit për gjithë periudhën e programit nuk mund të tejkalojë vlerën prej 600 eurosh.

“Ekonomitë Familjare (EF) që kualifikohen për subvencionim në bazë të Programit janë ato të cilat kanë të hyra mujore në nivel më të ulët ose të barabartë me 100 euro për person/anëtar ose thënë ndryshe, 400 euro për 4 anëtarë (të hyrat kumulative do përpjesëtohen me numrin e anëtarëve në ekonomisë familjare të deklaruar nga aplikuesi, për të vlerësuar nëse janë më pak ose të barabarta me pragun e të hyrave të vendosur)”, thuhet në draftin e këtij programi. “Verifikimi i të hyrave përmes testit të të hyrave do të kryhet një herë kurse pagesa e subvencionit do të realizohet gjatë sezonës së dimrit. Aplikimi do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët, kurse shuma e subvencionit do të ndryshojë nga një EF në tjetrën, pasi që formula për llogaritjen e subvencionit merr parasysh të hyrat që i mungojnë EF-së për të arritur pragun prej 100 euro për person, e cila nuk është uniforme për të gjithë”.

Kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, Selatin Kaçaniku konsideron se kjo shumë e paraparë për subvencionim për faturat e energjisë elektrike nuk është e mjaftueshme.

“Nëse e keni parasysh se 30 për qind e familjeve të varfra tani më kanë falimentuar dhe falimentimi rrezikon shtresën e ashtuquajtur të mesme, duke pasë parasysh se shporta ishte dikur rreth 250 euro, tani nuk mjafton as për gjysmë shporte, për një familje gjysmë të mesme nevojiten mbi 1,100euro në muaj, dhe kjo shumë duket qesharake. Shumica e pensionistëve jetojnë me 100 euro, e kjo 100 euro është hedhje benzine në zjarrin e varfërisë”, ka thënë Kaçaniku.

E njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, tha se subvencionimi për faturat e energjisë elektrike do të duhej të bëhej në bazë të pagës minimale.

“Pragu që të përfitohet është i ulët, sepse edhe paga minimale është dyfishi më i lartë. Pragu duhej të ishte deri te paga minimale dhe të subvencionohet sipas skemës që është paraparë, por pragu për përfitim duhej të ishte paga minimale. Mendoj që është një ndihmesë e vogël për familjet në nevojë që nuk kanë mundësi të përmbushin gjërat elementare”, ka thënë Qerimi.

Bazuar në draftin e programit, të gjitha aplikimet do të pranohen përmes platformës eKosova. Moduli i aplikimit do të zhvillohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në Kosovë. 

Aplikimi është paraparë të nisë nga muaji i ardhshëm.

“Moduli i aplikimit do të jetë i hapur nga data 1 shtator 2024 deri më 25 mars 2025. Gjatë kësaj periudhe qytetarët kanë mundësinë të aplikojnë si dhe të modifikojnë aplikimin e tyre.  Megjithatë, qytetarët të cilët duan të përfitojnë për gjithë periudhën e paraparë në Program, duhet të aplikojnë në muajin e parë të hapjes së aplikimit. Ekonomitë Familjare që aplikojnë prej muajit të dytë dhe tutje, do të shqyrtohen për përfitim vetëm për periudhën e mbetur, pra nuk do të ketë shqyrtim retroaktiv”, thuhet në program.

Në dokument është shkruar edhe formula për nivelin më të lartë të subvencionimit, që mund ta përfitojnë familjet me më pak të ardhura mujore se 100 euro për anëtar.

Aty theksohet se të hyrat mujore sipas këtij dokumenti, konsiderohen të gjitha të ardhurat mujore të ekonomisë familjare me përjashtim të kategorive: pensionet për personat me aftësi të kufizuara, kompensimet për personat e verbër, pensionet për invaliditet në punë, kompensimet për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, kompensimet për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara, pensionet për invalidët e luftës, pensionet të familjes së dëshmorit të UÇK-së dhe familjes së të zhdukurit të UÇK-së, pensionet të familjes së viktimave civile, dhe asistenca sociale.

“Niveli maksimal i subvencionit të energjisë elektrike për Ekonomitë Familjare për periudhën e përcaktuar është shuma e niveleve maksimale të subvencionimit të energjisë elektrike për çdo anëtarë të Ekonomisë Familjare, e cila për një anëtar është 900 kwh”, thuhet në dokument. “Shuma totale e subvencionimit të energjisë elektrike për gjithë periudhën e Programit për ekonominë familjare nuk mund të tejkalojë vlerën prej gjashtëqind euro (600 €) ose llogaritur ndaras, faturën mujore të muajit përkatës”.

Gjatë këtij mandate qeverisës, çmimi i energjisë elektrike gati është dyfishuar. Në vitin kur ndodhi shtrenjtimi, qeveria subvencionoi të gjithë konsumatorët, praktikë të cilën nuk e ka vazhduar në vitet e tjera.