Arbëri

Nis seanca përfundimtare për “Syrin e Popullit”, prokurori heq dorë nga ndjekja për dy të akuzuar

Foto: Driton Paçarada/ Koha Ditore

Prokuroria Speciale e Kosovës ka hequr dorë nga ndjekja penale për dy të akuzuarit në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, Lirije Luzha dhe Sabit Berisha.

Prokurori Sylë Hoxha në fjalën përfundimtare të tij ka thënë se heq dorë nga ndjekja penale ndaj tyre në mungesës të provave, raporton KTV.

“Jemi të gjithë të bindur se organizata kriminale ka pas një plan kooperativ i ka caktuar grupet si kane për të punuar e për të vepruar. Diku në vitin 2015 është marrë vendim që të realizohet ky plan për vrasjen e personaliteteve të larta të Kosovës me personalitet të sistemit të kaluar dhe aktual të cilat sipas planprogramit i kanë tradhtuar interesat e popullit”, ka thënë në fjalën e tij përfundimtare prokurori Hoxha. “Propozoj nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit t’i marrë parasysh rrethanat rënduese duke pasur parasysh peshën e veprave penale, se me veprimet e tyre në seancat kanë tentuar ta pengojnë rrjedhën normale të kësaj seance”.

Seanca ka vazhduar me fjalët përfundimtare të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.

Në këtë rast akuzohen Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana për vepra penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.