Ditën kur 10 të akuzuarit në rastin e njohur si “Syri i Popullit” pritej që ta jepnin fjalën përfundimtare për akuzat që rëndojnë ndaj tyre, Prokuroria Speciale ka vendosur t’i tërheqë akuzat ndaj dy të akuzuarve në këtë rast, Lirije Luzha dhe Sabit Berisha.
Prokurori Sylë Hoxha ka thënë se këtë e ka bërë në mungesë të provave, raporton KTV.
Ende pa nisur seanca, kryetarja e trupit gjykues ka vendosur të ndalojë xhirimin nga mediat, me arsyetimin se nuk është bërë kërkesë nga asnjë medium për të xhiruar.
Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori special Sylë Hoxha ka kërkuar që të akuzuarit të dënohen me burgim, pos Murat Jasharit.
Për të, prokurori kërkoi masë të detyrueshme të trajtimit në psikiatri, sepse tha se u manipulua nga anëtarët tjerë të “Syrit të Popullit”.
Këta, sipas Sylë Hoxhës, kishin për qëllim vrasjen e personaliteteve të larta shtetërore të cilët ata i konsideronin tradhtarë të kombit.
“Jemi të gjithë të bindur se organizata kriminale ka pasur një plan kooperativ, i ka caktuar grupet si kanë për të punuar e për të vepruar. Diku në vitin 2015 është marrë vendim që të realizohet ky plan për vrasjen e personaliteteve aktuale të larta të Kosovës dhe atyre të sistemit të kaluar, e të cilët janë konsideruar se kanë tradhtuar interesat e popullit.”
Ndërsa në fjalën e tij përfundimtare, i akuzuari Sadri Ramabaja tha se qëllimi i këtij procesi është eliminimi i tij dhe hakmarrja politike.
Sipas tij, organizata pjesë e së cilës akuzohet se është, është e krijuar nga SHIK-u.
“Organizatën fiktive “Syri i Popullit”, me gjasë reale e ka krijuar SHIK-u ,pra dyshja Thaçi-Veseli dhe bashkëpunëtorët e tyre që në Kosovë më shumë njihen si klani Pronto. Intenca këmbëngulëse për ta lidhur “Syrin e Popullit” me Vetëvendosjen shpjegon çdo gjë. Akuzat ndaj meje, të dyshes Thaçi-Veseli, dhe të zgjeruara tashmë në gjykatë me këto të dhëna me shkrim te prokurori nga ana e Thaçit, jo vetëm për mua por edhe për Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën, duke sjellë si provë deklaratën e tipit banal se e kam dëgjuar vetë kur Albin Kurti i ka thënë Glaukut se këta duhet eliminuar, e dëshmojnë katërçipërisht pohimin e kahershëm të Dilaver Goxhait se “Syri i Popullit” është krijuar nga Kadri Veseli dhe vartësit e tij të SHIK-ut. Intenca që ta lidhin me Vetëvendosjen tregon shumë. Unë me bindjen time mbetem socialdemokrat, ashtu besoj se do të mbetet edhe Vetëvendosje. Ndërsa ky proces gjyqësor kundër ‘Syrit të Popullit’ më shumë po del të jetë si shteti kundër Vetëvendosjes”, ka thënë ai.
Gjatë fjalës së tij përfundimtare Ramabajës dy herë i është tërhequr vërejtja nga trupi gjykues për shkak të ofendimeve që drejtonte në drejtim të prokurorit special Sylë Hoxha, duke iu referuar si përndjekës i shqiptarëve para luftës.
Por, avokati i Ramabajës, Ramiz Krasniqi, ka thënë se ka evidentuar një sërë shkeljesh të bëra nga gjykata në këtë rast.
Kurse, edhe avokatët tjerë mbrojtës i kanë quajtur të pabazuara dhe spekulime akuzat ndaj klientëve të tyre duke kërkuar që ata të lirohen.
Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana akuzohen për përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.