Qysh në start ka nisur qarkullimi i pyetjeve e përgjigjeve të Testit të Maturës nëpër rrjete sociale. Të shtunën në orën 10:00 ka nisur mbajtja e testit që matë njohuritë e arsimit parauniversitar.
KOHA ka parë një prej grupeve të komunikimit në Viber që numëron mbi 9830 anëtarë, e ku pjesëmarrësit, nxënësit, po shkëmbejnë përgjigjet e pyetjeve të testit. E një tjetër grup numëron mbi 500 anëtarë.

Kjo ndodh çdo vit. Grupe të tilla krijohen secilën herë dhe përgjigjen po ashtu shpërndahen. E këtë vit, dy ditë më parë u shpërndanë edhe paralajmërime për pyetje që do të mund të binin në Testin e Maturës.
Testit të Maturës sivjet i nënshtrohen mbi 19 mijë nxënës të shkollave të mesme të larta. Ai organizohet në 152 qendra të testimit në të gjithë Kosovën.
