Zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë vënë në pah ndryshimin e votës së qytetarëve të Podujevës ndër vite. Ajo që nuk kishte ndryshuar që prej zgjedhjeve të para lokale pas luftës deri në vitin e kaluar ishte fitorja e LDK-së në komunë. Ndërsa, më 29 nëntor të vitit 2020 për herë të parë kjo parti u mund nga LVV-ja, duke e humbur LDK pushtetin komunal 20-vjeçar.
Në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën këtë muaj shihet garë e ngushtë ndërmjet kandidatit të LDK-së, Ekrem Hyseni (16.926 vota) dhe atij të LVV-së, Shpejtim Bulliqi (16.907 vota), të cilët kanë vetëm 18 vota dallim dhe do të përballen edhe njëherë në balotazh më 14 nëntor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRezultatet e zgjedhjeve të 17 tetorit tregojnë për rënie e ngritje të partive politike në këtë komunë. Zgjedhjet e para lokale pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë mbajtur në vitin 2009. Atëkohë, në rundin e parë Agim Veliu nga LDK kishte marrë 16 mijë e 865 vota ose 49.93 për qind, i pasuar nga Muhamet Latifi i PDK-së me 10 mijë e 339 vota ose 30.61 për qind, ku ky i fundit ishte mundur në balotazh nga Veliu. Pas tyre ishin rënditur, Ismet Abdullahu nga AAK me 3 mijë e 942 vota (11.67%), Ejup Visoka nga Iniciativa Qytetare 1 mijë e 465 (4.34%), Imer Hajdini PD me 863 (2.55%), Rifat Syla nga Partia Socialdemokrate 191 vota (0.57%) dhe Tefik Durmishi nga Partia Socialiste e Kosovës 115 (0.34%).
Në zgjedhjet pasuese të vitit 2013 Agim Veliu kishte fituar në rundin e parë të zgjedhjeve lokale me 19 mijë e 871 ose 50.19 për qind, duke marrë kështu rreth 5 mijë vota më shumë se në 2009. Pas tij, sërish ishte PDK-ja me kandidatin Naim Fetahu, i cili kishte marrë 15 mijë e 321 (38.68%), ose 5 mijë vota më shumë se Latifi në 2009. I treti ishte rënditur Xhemshit Vokrri nga LVV me 1 mijë e 759 (4.44%), parti kjo që po merrte pjesë për herë të parë në zgjedhje lokale. I katërti ishte Ismet Abdullahu nga AAK-LDD me 1 mijë e 692 vota (4.27%), ose mbi 2 mijë vota më pak se në 2009, pas tij Ismet Ibishi nga AKR me 610 (1.54%) dhe i fundit Nexhat Llumnica nga LB me 361 vota (0.91%).
Ndryshim në vota, por jo në fitues kishte pasur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Edhe në këto zgjedhje i pari kishte dalë Agim Veliu (LDK) me 18 mijë e 872 (48.1%), rreth 1 mijë vota më pak se në zgjedhjet paraprake. Në vendin e dytë tash ishte LVV-ja me Ajet Poterën me 11 mijë e 671 (29.8%) parti kjo që ishte rritur për rreth 10 mijë vota nga 2013, por që kishte humbur në balotazh nga Veliu. I treti ishte rënditur Hajredin Hysni nga PDK me 7 mijë e 120 (18.2%) ose diku 8 mijë vota më pak se në 2013, pas tij Fatmir Humolli nga AAK me 971 vota (2.5%), gati përgjysmë më pak se në 2013. I pesti ishte kandidati i Fjalës, Xhevdet Maloku me 322 vota (0.8%) dhe i fundit kandidati i Nismës, Xhemajl Hasani me 242 vota (0.6%).
LDK e humbi pushtetin 20-vjeçar për herë të parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 29 nëntorit të vitit të kaluar, ku kandidati Shpejtim Bulliqi nga LVV arriti të fitojë në rundin e parë me 18 mijë e 286 vota ose 51.9 për qind, e që kishte rreth 7 mijë vota më shumë se Potera në 2017. Pas tij ishte rënditur kandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari me 12 mijë e 627 vota (35.8 %) ose rreth 6 mijë vota më pak se Veliu në 2017 dhe i treti, Naim Fetahu nga PDK me 4 mijë e 341 vota (12.3%) ose rreth 3 mijë vota më pak se Hyseni në 2017.
Ndërkohë, rezultatet kanë ndryshuar sërish më 17 tetor, ku kandidati i LDK-së, Ekrem Hysni, është rënditur i pari me 16 mijë e 925 (44.20%) që ka vetëm 18 vota më shumë se kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi që ka marrë 16 mijë e 907 vota (44.16%). Këta edhe do të përballen në balotazh më 14 nëntor. Pas tyre rënditet kandidatja e PDK-së, Floretë Zejnullahu me 2 mijë e 471 vota (6.45%), pastaj Besnik Tahiri nga AAK me 1 mijë e 531 vota (4%), Gazmend Islami nga OBKD me 251 (0.66%) dhe i fundit Xhemajl Hasani i Nismës me 205 vota (0.54%).