Arbëri

Ngrihet aktakuzë kundër klanit “Pronto”

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër klanit “Pronto”.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare si: ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, shef i grupit parlamentar të PDK-së; ish-ministri i Ekonomisë, Besim Beqaj; ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi; kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Njazi Kryeziu; ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj; ish-këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi – Sedat Gashi, si dhe ish-shefja e Divizionit Farmaceotik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

“Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile”, thuhet në njoftim.

Aktakuza për klanin “Pronto” është ngritur pak ditë pas takimit të kryeprokurorit Aleksandër Lumezit, shefit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunit dhe presidentit Hashim Thaçi në lidhje me rastet korruptive për liberalizimin e vizave.