Aktakuzë ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe 8 personave të tjerë ka ngritur Prokuroria Speciale për aferën “Pronto”. Ata akuzohen për veprën “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, raporton KTV.
Me komoditet e kishte marrë Adem Grabovci intervistimin nga Prokuroria Speciale në shtatorin e vitit 2016.
Por, ndaj protagonistit kryesor të aferës “Pronto”, Prokuroria këtë të premte ngriti aktakuzë për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Përveç Grabovcit, të akuzuar janë edhe 10 persona të tjerë, përfshirë Besim Beqajn, ministër i PDK-së, Zenun Pajazitin, deputet i PDK-së dhe ish-zyrtarë të lartë të ministrive e institucioneve të ndryshme.
Ndër të akuzuarit janë edhe Nijazi Kryeziu, ish-kryesues i Kuvendit komunal në Prizren, tani këshilltar i Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare, duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshëm personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: Drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.
Përgjimet e aferës “Pronto”, kishin rrjedhur nga hetimi që EULEX-i po bënte për rastin MTPT, ku një prej të hetuarve kishte qenë edhe Adem Grabovci, në atë kohë zëvendës i Fatmir Limajt.
Pas publikimit të incizimeve të reja, Grabovci kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Shefit të Grupit Palamentar të PDK-së, derisa në vend kishte edhe protesta për heshtjen e institucioneve të drejtësisë karshi skandalit.