Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ngrihen dyshime se rritja e tarifave të energjisë u shmang shkaku i zgjedhjeve

rryma

Janë ngritur dyshime për ndikim politik rreth marrëveshjes mes KEK-ut dhe KESCO-s që ka mundësuar shmangien e rritjes së tarifave të energjisë pak para zgjedhjeve të parakohshme. Organizata INDEP vlerëson se përdorimi i mekanizmit të profilizimit të kostos, ngre shqetësime për mungesë transparence. E Zyra e Rregullatorit për Energji mohon çdo ndikim politik, duke theksuar se vendimi është teknik dhe i bazuar në nevoja pragmatike të sistemit energjetik

Marrëveshja mes KEK-ut dhe KESCO-së që e mundësoi shmangien e rritjes së tarifave pak para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, ka nxitur dyshime për ndikim të mundshëm politik.

Sipas organizatës INDEP, këto dyshime për bazë kanë faktin se asnjëherë deri tash, nuk janë përdorur mekanizma të tilla, përkundër luhatjeve të ngjashme të çmimeve të importit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“INDEP-i vlerëson se mekanizmi i profilizimit të kostos ngre shqetësime serioze në raport me parimet e pavarësisë rregullatore dhe transparencës së vendimmarrjes. Duke qenë se viti 2026 përkon me një periudhë kur organizohen zgjedhjet në Kosovë, shtyrja e një kostoje të konsiderueshme tarifore për vitet pasuese krijon perceptimin e një vendimi me ndikim të mundshëm politik, për të shmangur rritjen e tarifave në afat të shkurtër”, thuhet në një përgjigje të INDEP-it.

Në INDEP thonë se mungon një sqarim i qartë mbi momentin dhe kushtet konkrete kur kjo kosto do të rikuperohet nga konsumatorët në vitet e ardhshme tarifore.

“Nuk është bërë publik asnjë informacion nëse ka pasur komunikim formal apo joformal ndërmjet ZRRE-së dhe Qeverisë lidhur me këtë qasje, çka është thelbësore për të garantuar se vendimi është marrë ekskluzivisht mbi baza rregullatore dhe jo si rezultat i konsideratave të jashtme”, thuhet në përgjigje.

Por, ZRRE-ja mohon se ka qenë e ndikuar politikisht.

“Qëllimi i këtij mekanizmi të profilizimit nuk është politik, por pragmatik. Me këtë mekanizëm evitohet rritja e tarifave për vitin 2026, si rezultat i reduktimit te gjenerimit vendor. ZRRE thekson se detajet financiare lidhur me mekanizmin e profilizimit të kostos, përfshirë shumën e shtyrë, trajtimin e interesit dhe periudhën e rikuperimit, janë pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet KEK-ut dhe KESCO-s”, thuhet në një përgjigje të ZRRE-së.

Sipas raportit përfundimtar të ZRRE-së, për të hyrat maksimale të lejuara, KEK-u dhe KESCO-s kanë rënë dakord reciprokisht të shtyjnë një pjesë të pagesave për blerjen e energjisë që mbulojnë periudhën janar– mars 2026.

Edhe pse në raportin konsultativ shuma ishte 34 milionë euro, në atë përfundimtar ajo është 39 milionë euro,  duke thënë se aty përfshihet TVSH-ja.

Aty thuhet se gjatë vitit 2025 është regjistruar një rritje e ndjeshme e importit. Kostoja totale ishte 91.76 milionë euro, ndërsa planifikimi fillestar prej 71.13 milionë eurosh.

Devijimi prej 20.62 milionë eurosh, pritet të rikuperohet përmes tarifave të ardhshme të energjisë.