Zyra e Rregullatorit për Energji ka propozuar që të hyrat maksimale të lejuara për KESCO-n për vitin 2026 të jenë 442.26 milionë euro, dukshëm më të ulëta se kërkesa e kompanisë prej 528.78 milionë eurosh. Ulja bëhet si rezultat i rishikimit të kostove dhe një marrëveshjeje për shpërndarjen e një pjese të shpenzimeve në vitet e ardhshme, përfshirë edhe shtyrjen e rreth 34 milionë eurove nga blerja e energjisë për periudhën tarifore 2026–2027
Zyra e Rregullatorit për Energji ka propozuar që të hyrat Maksimale të Lejuara për KESCO-n për vitin 2026 të jenë 442.26 milionë euro, apo 86.52 milionë më e ulët sesa kërkesa e KESCO-s që ishte 528.78 milionë euro.
Kjo do të ndikojë që tarifat e energjisë për konsumatorët të mbesin në nivelin e njëjtë me të vitit të kaluar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShkak për këtë është një marrëveshje që, siç ka mësuar KOHA, është arritur në parim mes KEK-ut, KESCO-s dhe ZRRE-së për shpërndarjen e kostove në këtë dhe vitin e ardhëm.
Në raportin konsultativ për KESCO-n, të publikuar nga ZRRE-ja, thuhet se një pjesë e kostos së blerjes së energjisë nga KEK-u, në vlerë rreth 34 milionë euro nuk është njohur në vitin 2026, por është shtyrë për periudhat e ardhshme tarifore.
“Për të ruajtur qëndrueshmërinë e sigurisë së furnizimit dhe shmangur rritjen e tarifave të energjisë elektrike për këtë vit tarifor, që rezultojnë si pasojë e mungesës së prodhimit vendor dhe rritjes së importit, ZRRE-ja në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullatore ka propozuar një mekanizëm profilizimi (shpërndarje) të këtyre kostove për dy vjet. Sipas mekanizmit për profilizim, ZRRE-ja propozon që rreth 34 milionë € të kostove të blerjeve nga KEK-u do të shpërndahen në dy vjet, 2026 dhe 2027. Kjo qasje nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por më tepër një shpërndarje të këtyre kostove për një periudhë dyvjeçare”, thuhet raportin konsultativ të ZRRE-së për KESCO-n.
ZRRE-ja po ashtu ka bërë një reduktim të ndjeshëm të kostove te shpenzimet operative, investimet kapitale të KEDS-it dhe humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes.
Një korrigjim është bërë edhe te Fondi për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë, duke ua hequr rreth 7.4 milionë euro konsumatorëve nga tarifat për 2026 nga ky fond.
Reduktim i ndjeshëm i kostove vërehet sidomos të shpenzimet operative të KESCO-s, investimet kapitale të KEDS-it dhe humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes.
“Fondi i BRE-ve është reduktuar ndjeshëm nga 15.51 milionë € në 8.08 milionë €, ndërsa kostot e OST/OT mbeten pothuajse të pandryshuara”, thuhet në raport.
Sipas një raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit, vetëm për periudhën 2022-2024, nga keqmenaxhimi i këtij fondi u krijuan shpenzime shtesë për konsumatorët e rrymës në Kosovë.
“Mungesa e monitorimit efektiv të Fondit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk e kishte monitoruar në vazhdimësi mënyrën se si KOSTT-i e menaxhon Fondin. Edhe pse ka pranuar në mënyrë periodike informacione nga KOSTT-i, këto të dhëna nuk janë analizuar në mënyrë adekuate për të ndërmarrë veprime korrigjuese në kohë. Tarifa për Fondin aprovohet çdo vit nga ZRRE-ja dhe mbulohet nga konsumatorët fundorë. Në vitin 2023, kjo tarifë ka shënuar një rritje të ndjeshme, duke u katërfishuar në krahasim me vitin 2022 – nga 0.73 euro/MWh në 3.14 euro/MWh”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Tarifat e reja të energjisë pritet të vendosen në fund të këtij muaji, që në këtë rast nënkupton se do të konfirmohen ato që janë në fuqi.
Palët e interesit do të mund të dërgojnë komentet e tyre deri më 24 prill për propozimin e ZRRE-së, e më pas do të merret vendim nga Bordi për tarifat e reja.
Sipas këtij institucioni, propozimi reflekton kostot e arsyeshme dhe të përballueshme për konsumatorët në afat të shkurtër, ndërkohë që kostoja e shtyrë do të rikuperohet në vijim.