Arbëri

Ngërçi në Kuvend dhe perspektiva euroatlantike, tema të bisedimeve të Osmanit e Kurtit me Reiffenstuel

Mbështetje të vazhdueshme për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht në Këshillin e Evropës, i kanë kërkuar liderët e shtetit Drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, i cili po qëndron në Prishtinë. Sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Vjosa Osmani e ka theksuar nevojën për qartësi strategjike dhe afate të përcaktuara

Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri në detyrë Albin Kurti e kanë takuar ndaras të hënën drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, e fokus ishin zhvillimet rreth ngërçit politik. 

Presidentja Osmani e konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz.

Po ashtu, në takim Osmani e ka theksuar domosdoshmërinë që Kosova të avancojë drejt anëtarësimit në NATO, ndërsa sa i përket dialogut Kosovë - Serbi, presidentja ka thënë se duhet qartësi strategjike dhe afate të përcaktuara e objektiva të qarta.

“Në takim Presidentja e theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, duke e elaboruar qartë kontributin që një e tillë do ta kishte në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon e Evropë. Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Presidentja e theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta, duke theksuar se normalizimi e nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës. Në takim Presidentja foli edhe për rëndësinë e largimit të plotë të masave të padrejta, duke theksuar që Gjermani mund të luajë rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, shkruan në komunikatën e presidencës.  

Reiffenstuel është takuar edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në rezidencën e Ambasadorit Jorn Rohde.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, është diskutuar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, sidomos në fushën e ekonomisë dhe investimeve të huaja, situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimet evropiane, si dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe aktualitetin politik.

“Kryeministri e veçoi performancën ekonomike pozitive të vendit në gjashtëmujorin e parë të vitit, rezultatet e politikave të punësimit dhe mbarëvajtjen e punës së institucioneve qeveritare dhe të shtetit, përfshirë të drejtat e pakicave dhe mirëqenien e tyre”, thuhet në njoftim.

Tutje, aty thuhet se Kurti e shprehu shqetësimin e tij për rreziqet që paraqesin dhe vështirësitë që i shkaktojnë fushatat dezinformuese dhe lajmet e rrejshme në shtrembërimin e të vërtetave dhe krijimin e narrativave të dëmshme për shoqëritë dhe institucionet demokratike.