Policia ka arrestuar në mëngjesin e së enjtes Fatmir Shehollin nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit. Me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë. Arrestimi është bërë pas hetimeve disamujore të zhvilluara në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, e cila gjatë viteve 2017-2020 ia ka dorëzuar Shehollit 639 mijë euro
Nën dyshimin për spiunazh, Policia ka arrestuar të enjten Fatmir Shehollin, i cili në pjesën e parë të viteve ’90 ka qenë pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Pas luftës, ai ka mbajtur lidhje me politikanë serbë në Kosovë, si dhe ka zhvilluar aktivitet në Institutin për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se Sheholli është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“I dyshuari F.SH., është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘Spiunazh’, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pas arrestimit, atij i është bastisur edhe banesa që ndodhet në kryeqytet. Hetuesit e njësive relevante janë parë duke dalë nga objekti ku banon Sheholli, nga i cili kanë sekuestruar edhe materiale, të cilat dyshohet se lidhen me hetimin për veprën penale “Spiunazh”.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se rasti do të trajtohet me “seriozitet të lartë institucional” dhe ka theksuar se “koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar”.
“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka thënë Sveçla.
Krahas dyshimeve për spiunazh, një dokument i AKI-së tregon se ai është i përfshirë edhe në keqpërdorim të buxhetit.
Në mars të këtij viti, KOHA ka raportuar se inspektori i AKI-së ka dorëzuar vjet në Prokurorinë Speciale një raport, në të cilin konstatohet se pa u ndjekur procedurat e brendshme ka pasur rritje buxheti për informatorët, ndërsa shpenzimi i rreth 2 milionë eurove është bërë pa u evidentuar pranuesit, apo edhe në rastet kur ata janë ditur nuk ka pasur të dhëna për informatat e marra në këmbim.
Gjatë viteve 2017-2020, në mesin e atyre që përfituan nga ky fond është edhe Fatmir Sheholli, i cili, sipas raportit, ka pranuar 639 mije euro prej AKI-së.
Sheholli është paraqitur shpesh në një numër televizionesh në debate në rolin e analistit politik.
Në paraqitjet publike, ai ka thënë se pas luftës ka qenë i angazhuar në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), por edhe e ka pranuar se ka punuar si inspektor i UDB-së në vitet ’90.
E, një shkrim i gazetës “Bujku”, i botuar më 15 mars 1991, tregon se 44 familje Sheholli nga Podujeva dhe rrethina u distancuan publikisht nga Fatmir Sheholli dhe babai i tij, të cilët akuzoheshin për bashkëpunim me pushtetin serb të asaj kohe.
“Ngase distancimi ynë nga Maliq Sheholli dhe i biri i tij Fatmir, i bërë në vitin 1990, i botuar në revistën fetare ‘Dituria Islame’, është më pak i njohur për publikun, e shohim të nevojshme ta njoftojmë opinionin shqipfolës, kudo në botë, se familja e gjerë Sheholli (44 kryefamiljarë) gjithmonë distancohet nga veprimet e këtyre të dyve: Maliqit e Fatmirit”, thuhet në tekstin e botuar në gazetë.
Po ashtu në shkrim theksohej se, Maliqi dhe Fatmiri “janë vënë në shërbim të pushtuesit serb dhe kështu kanë bërë aktin më të ligë njerëzor: tradhtinë kombëtare”.
“Pavarësisht nga veprimet e tyre renegatë, lëvizja jonë gjithëpopullore do të realizojë çlirimin kombëtar. E renegatëve kurrë s’mund t’u hiqet njolla e tradhtisë”, thuhej në fund të letrës, e cila i ishte dërguar redaksisë së “Bujkut”.
Vitin e shkuar, për veprën e spiunazhit, janë arrestuar edhe Bedri Shabani e Muharrem Qerimi.