Arbëri

Nga 59.5 në 44.9 për qind, si ra përqindja e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e Kurtit

Për gati 15 për qind ka rënë niveli i kënaqshmërisë së qytetarëve me performancën e kryeministrit Albin Kurti nga muaji maj i vitit 2021, deri në nëntor të 2022-s, sipas edicionit të 23-të të “Pulsit Publik” nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Ky raport, bazuar në anketën e opinionit në periudhën tetor-nëntor 2022, ka treguar rënie të kënaqshmërisë për performancën e të gjitha institucioneve kyçe.

Në raport bëhet e ditur se Kurti gëzoi nivelin më të lartë të kënaqshmërisë për performancë në anketën e majit 2021, pak pasi mori pushtetin. Atë kohë niveli i kënaqshmërisë për performancën e tij ishte 59.5. Megjithatë, niveli i kënaqshmërisë ka pësuar vetëm rënie. Në nëntor 2021, ai ra në 53.2 për qind, ndërsa në prill të 2022-s në 52.6 për qind. Anketa e fundit e tregon rezultatin më të ulët të kënaqshmërisë për performancën e Kurtit, që nga koha kur mori pushtetin. Në nëntor, 44.9 për qind e qytetarëve të anketuar ishin të kënaqur me performancën e tij.

Rënie të dukshme të kënaqshmërisë për performancë ka shënuar edhe Qeveria. Në maj 2021, niveli i kënaqshmërisë për punën e Qeverisë ishte 59.1 për qind, ndërsa në anketën e fundit është 41 për qind.

Kuvendi nga 52.9 për qind sa ishte në maj 2021, tani ka rënie në 39.1 për qind.

Rënie të nivelit të punës pati edhe për kryeparlamentarin që nga 59.2 për qind në maj 2021 ka rënë në 50.8. Kryeparlamentari dhe presidentja janë dy institucionet e vetme që gëzojnë mbi 50 për qind të nivelit të kënaqshmërisë. Presidentja Vjosa Osmani është udhëheqësja me nivelin më të lartë të kënaqshmërisë me 56.8 për qind, por që është më ulët se në anketën e parafundit kur pati 58.4 për qind të kënaqshmërisë. Në maj 2021, niveli i kënaqshmërisë për performancën e presidentes ishte 63.7 për qind.

Në gjykata e prokurori është niveli më i ulët i knaqshmërisë ndër institucionet kyçe. Ato gëzojnë vetëm 24.4, përkatësisht 22 për qind të nivelit të kënaqshmërisë për performancë.

Image