Arbëri

Nga 12 sportele, vetëm dy ofrojnë shërbime për qytetarët e Prishtinës

Fluksi i madh i qytetarëve për të nxjerrë dokumente në Komunën e Prishtinës ka bërë që ata të presin me orë e edhe me ditë të tëra. Në kohën kur edhe diaspora shton numrin e personave që kërkojnë të marrin shërbime në Komunë, personeli administrativ pothuajse është përgjysmuar për shkak të pushimeve vjetore. Nga Komuna e Prishtinës e fajësojnë edhe sistemin me të cilin punon administrata

U desh të kalonin më shumë se pesë orë e gjysmë që 82 persona të merrnin shërbime në Komunën e Prishtinës. Kaq të tjerë e edhe më shumë vazhdonin të prisnin në radhë që nga mëngjesi për të kryer pagesën e taksës rrugore e të tatimit në pronë.

Ndonëse kishte fluks të madh të njerëzve, nga 12 sportelet shërbimet i kryenin vetëm dy prej tyre. Fahri Sheqiri, qytetar nga Prishtina, thotë se e gjithë dita i ka shkuar duke pritur për këtë shërbim, për të cilin nuk ishte i sigurt nëse do të mund ta merrte deri në fund të orarit.

“Kam ardhur sot për ta paguar taksën rrugore, mirëpo kam ardhur rreth orës 09:00 të mëngjesit, është ora 13:00 e tepër dhe ende nuk më ka ardhur rendi. Tash është numri 81, kështu që nuk e di a kam mundësi me e krye sot gjatë ditës apo jo”, ka thënë ai.

Problem të njëjtë pati edhe Ragip Rugova që mbante numrin rendor 151. Sipas tij, është e tmerrshme që Komuna t’i trajtojë në këtë mënyrë qytetarët e saj. Ai thotë se Komuna është dashur t’i kushtojë rëndësi të veçantë kontaktit të administratës me qytetarët.

“Për më shumë se pesë orë janë procesuar gjithsej 80 njerëz në Komunë të Prishtinës në pikë të sezonit, kur me mijëra njerëz vijnë nga jashtë për të paguar tatime, për të rregulluar çështjet pronësore e të tjera. U interesova të di se sa sportele janë aktive dhe futem brenda e shoh vetëm dy, një për taksa të rrugës dhe një tjetër për të tjera çështje, 10 a 12 sportele të tjera të zbrazura”, ka deklaruar Rugova.

Kishte edhe nga ta që me ditë të tëra kishin ndërprerë punën për t’i marrë këto shërbime. Pas pritjeve të gjata, qytetarëve u humbi durimi meqë puna nga ana e administratës vazhdonte me ritëm të ngadaltë. Të revoltuar ata kërkuan edhe takim me përgjegjësit. Megjithëse i ftuan për sqarime, lart në objektin e Komunës qytetarët nuk i priti askush.

Në një përgjigje me shkrim nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se gjithsej 14 persona janë të angazhuar për kryerjen e shërbimeve të pagesave të taksës rrugore dhe se pesë nga ta janë në pushime vjetore.

“Në sportelet për shërbime të pagesave të taksës rrugore, totali i personave të angazhuar për kryerjen e shërbimeve ndaj qytetarëve është 14 persona. Aktualisht janë duke punuar 9 persona, 7 prej tyre janë duke punuar në objektin e Komunës së Vjetër, ndërsa 2 prej tyre në Komunën e re. Kurse 5 prej tyre janë në pushim vjetor. Nga ora 11:00 deri ne orën 13:00 përgjysmohet numri i punëtoreve në sportele për shkak të kohës se pauzës”, thuhet në përgjigje.

Për shërbimet e ngadalta ata kanë fajësuar sistemin e intranetit që menaxhohet nga Ministria e Pushtetit Lokal.

“Në raste kur ngadalësohet ose bie sistemi, punonjësve në sportele u pamundësohet shërbimi ndaj qytetarëve dhe për këtë ne si Komunë kemi kërkuar nga Ministria që të mundësojë lëshimin e vërtetimit të pagesës së taksës rrugore për lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetareve duke ua mundësuar pagesën e taksës online dhe evitimin e pritjeve të qytetarëve nëpër sportele, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Megjithatë, nga Komuna nuk janë përgjigjur se pse nuk kanë krijuar strategji më efikase të punës gjatë kohës së verës, kur kërkesat shtohen edhe nga bashkatdhetarët.

Pikërisht për këtë arsye Komuna e Rahovecit nga 15 korriku deri më 16 gusht, shërbimet për qytetarët do t’i kryejë edhe të shtunave.